Caku i programit bërthamor iranian

28/09/2012 00:00

Gjatë fjalimit në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ilustroi cakun se deri ku mund të shkojë Irani me programin e tij bërthamor.

Kryeministri izaelit, me një diagramë në dorë përshkroi 3 faza, e para ishte faza fillestare e zhvillimit të një arme bërthamore, që Irani e ka tejkaluar me kohë, e dyta ishte faza e perfeksionimit të këtij programi deri në 90 përqind të aftësisë për ndërtimin e një bombe bërthamore.

Pikërisht kalimi i këtij 90 përqindëshi, që shërbimet e inteligjencës izraelite janë të bindur se Teherani është mjaft pranë, nuk lë rrugë tjetër përvecse ndërhyrje ushtarake ndaj Republikës Islamike.

Netanyahu tha se fuqitë e mëdha nuk mund dhe s’duhet të tolerojnë një Iran bërthamor. Një gjë e tillë, vijoi ai, është kërcënim për paqen globale. Imagjinoni një Al Kaeda të armatosur më bombë bërthamore, përfundoi fjalën e tij Netanyahu.

CNN analizon fjalimin e kryeministrit izraelit që la të kuptohej se në verën apo vjeshtën e vitit të ardhshëm, Teherani pajiset me bombë bërthamore. Cfarë do të thotë kjo? Si Tel Avivi ashtu edhe fuqitë perëndimore disa herë janë zotuar se nuk do të tolerojnë Republikën Islamike të zhvillojë bombë bërthamore, por duket se mënyra e vetme për ta ndaluar këtë, të paktën për momentin, është ndërhyrja ushtarake.

Nga ana tjetër, Irani deklaron se nuk po përpiqet të ndërtojë bombë bërthamore dhe se programi i tij është tërësisht paqësor. Por ajo që nuk bind ndërkombëtarët dhe Izraelin në argumentimin e Teheranit është se programi i tij ka arritur 20 përqindëshin e pasurimit të uraniumit, aq sa është e nevojshme për përdorimin paqësor të lëndës.
 

Top Channel