Arvizu u “çon” ambulancën grevistëve

28/09/2012 00:00

Ndërsa greva e urisë ka hyrë në ditën e saj të shtatë, autoriteti shëndetësor rajonal në Tiranë më së fundi vuri në dispozicion të grevistëve një autoambulancë, vetëm pak minuta pasi kishte nisur një takim mes tyre dhe ambasadorit amerikan Alexander Arvizu.

Diplomati amerikan ka shprehur keqardhje që nuk u gjet ndonjë formë tjetër për të shprehur kërkesat. Ndërkohë që mori prej vetë grevistëve mbase serinë më të gjatë të akuzave që i drejtoheshin kryeministrit të vendit, në lidhje me trajtimin që qeveria u ka bërë atyre vitet e fundit.

“E di sa keni vuajtur. Pas rënies së komunizmit mendohej se e keqja ishte lënë prapa. Tani do të doja të mendoheshit në një mënyrë tjetër, edhe pse e di që jeni të frustruar”, u ka thënë Arvizu grevistëve.

“Kjo ishte e vetmja zgjidhje, zoti ambasador. Dhe ne e shohim si zgjidhjen e vitit 1991 sepse na rrëmbyen, na rrëmbyen ndjenjat”, është përgjigjur njëri prej tyre.

“Ndërkombëtarët duhet të ndërhyjnë menjëherë, sepse kemi të bëjmë me një nga diktaturat më moderne në zemër të Evropës”, ka thënë një tjetër.

“Duhet të jeni të fortë dhe të luftoni për veten, familjen dhe vendin tuaj”, u ka thënë më tej ambasadori amerikan.

Ndërkohë që gjendja e grevistëve të urisë po përkeqësohet, ndërsa që nga fillimi i saj dy prej tyre e kanë braktisur si shkak i problemeve shëndetësore.

Një grup mjekësh i dërguar nga Partia Socialiste shpjeguan se situata e tyre rëndohet duke patur parasysh edhe moshën. Më herët ata patën një takim edhe me ish-presidentin Bamir Topi, i cili ka akuzuar qeverinë dhe i ka bërë thirrje asaj që t’i japë zgjidhje kësaj shtrese.

“Kanë dhjetra burokratë, t’i nisin, të dialogojnë dhe të mbajnë një premtim që e kanë bërë vazhdimisht, kompensimin deri në fund. Ky kompensim ka qenë i mundur të bëhet kohë përpara”, u ka thënë Topi grevistëve.

Të njëjtën thirrje bënë edhe përfaqësuesit e selisë rozë, të dërguar për të parë nga afër situaten. “Të marrë fund kjo situatë, pasi ata kanë vite që trajtohen kështu, si kavje, në 70 vitet e fundit”, ka thënë Keti Bazhdari.

Top Channel