Romney, aksione edhe tek “Gazprom”-i rus

27/09/2012 00:00

“Rusia është armiku ynë gjeopolitik numër një”, deklaroi gjatë fushatës, por kjo nuk e pengoi kandidatin republikan Mitt Romney që të investonte në kompanitë ruse “Gazprom” dhe “Yandex”.

Lajmin e bën të ditur edicioni rus i BBC, që citon deklaratën e të ardhurave të rivalit të Barack Obama për qeverisjen e Shteteve të Bashkuara.

Vitin e kaluar, kompania “Equity Fund” e Romney bleu mbi 1 mijë aksione të kolosit shtetëror rus të gazit dhe të motorit rus të kërkimit.

Megjithatë, sipas burimit, më vonë kandidati republikan i shiti aksionet në fjalë pasi regjistroi një seri humbjesh.

Pak ditë më parë Romney publikoi të dhënat e tij për taksat e paguara gjatë vitit 2011, të cilat treguan se derdhi në arkat e shtetit 14.1% të fitimeve të tij personale.

Kampi demokratik e kishte vendosur prej disa muajsh nën akuzë 65-vjeçarin, për fshehje të të ardhurave ndaj shtetit.

Të dhënat e publikuara nga republikani treguan se ai pagoi në taksa në vitin 2011 një total prej 1.9 milionë dollarësh, nga 13.7 milionë dollarë të pasurisë së tij.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përdorin një sistem tatimi fleksibël për të ardhurat, nëpërmjet një skeme që mund të devijojë deri 35% të fitimeve për taksa.

Ndonëse nuk është një detyrim ligjor, Romney ndoqi shembullin e kandidatit të mëparshëm republikan, John McCain, që publikoi listën e tij dyvjeçare të të ardhurave kur sfidoi Obamën në vitin 2008.

Top Channel