Drejtuesit e Portit të Durrësit kanë hapur përfaqësinë e tyre në Shkup.  Karakteristikat e këtij porti u prezantuan të enjten në panairin e Shkupit para afaristëve të Maqedonisë nga drejtori Eduart Ndreu.

Ai informoi për aktivitetet e ndërmarra për përmirësimin e kapaciteteve të portit dhe të infrastrukturës rrugore në afërsi.

Z. Ndreu, para afaristëve në Shkup, tha se rruga më e shkurtë e Maqedonisë për në Europë është Shqipëria.

”Është shumë e thjeshtë të kuptohet që dalja natyrale e Maqedonisë në det për t’u lidhur me botën është Shqipëria. Por, jam i bindur që kjo nuk mjafton. Duam të punojmë shumë për të eliminuar të gjitha ato barriera të cilat këtë rrugë të shkurtër e bëjnë të gjatë”, u shpreh Eduart Ndreu, drejtori ekzektutiv i portit të Durrësit.

Drejtori i Agjencisë për investime të huaja në Maqedoni, Visar Fida vlerëson se hapja e përfaqësisë së portit të Durrësit në Shkup do të jetë një mundësi më tepër për afaristët e të dyja vendeve.

”Hapja e kësaj zyre do të lehtësojëmë shumë eksportin e produkteve të kompanive vendore dhe të jashtme. Shumë nga kompanitë e jashtme që vijnë në Maqedoni, vëllimin më të madhe e kanë për eksport nga Maqedonia, kryesisht nga vendet e Europës Përendimore dhe nga SHBA-të. Kështu që hapja e zyrës së portit të Durrësit do tua lehtëson edhe atyre punën për një port alternative dhe të mos varen vetëm nga porti i Selanikut”, u shpreh zoti Fida, drejtori i Agjensisë për Investime të Huaja.

Për shkak të infrastrukturës më të favorshme, afaristët nga Maqedoni deri tani e kanë shfrytëzuar portin e Selanikut.

Top Channel