Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç ka deklaruar se ai nuk do të
marrë pjesë në bisedimet për fqinjësinë e mirë, që e trajtojnë Kosovën
si shtet.

Deklaratën e tij për mediat serbe Nikoliç e ka bërë para takimit me shefein e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

“Zonja Ashton e di që tek unë nuk gjen bashkëbiseduesin për raportet e mira me Kosovën si shtet. Ajo gjen tek unë bashkëbiseduesin për jetën e mirë në Kosovë, për paqen dhe sigurinë për investime”, ka thënë Nikoliç.

Dy ditë më parë Përfaqësuesja e Lartë e BE bisedoi në Nju Jork me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi mbi vazhdimin e dialogut mes Prishtinës e Beogradit, jo vetëm në nivel teknik, siç është mbajtur deri tani në Bruksel, por edhe në nivel politik.

“Kryeministri Thaçi konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për t’u angazhuar në këto bisedime. Përfaqësuesja e Lartë u shpreh se vendime të vështira do të nevojiten nga Prishtina e Beogradi, ndaj të dy palët duhet të jenë gati për t’u angazhuar, përfshirë edhe në nivel politik”, njoftoi zyra e Ashton.

Shefja e diplomacisë europiane vlerësoi progresin e bërë për zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, si dhe përpjekjet e Prishtinës për të përparuar në rrugën drejt BE-së.

Top Channel