Meksikë, arrestohet “talebani” i kokainës

27/09/2012 00:00

Një nga trafikantët e drogës më të kërkuar në botë është arrestuar nga forcat e sigurisë në Meksikë.

Policia lokale njofton se Ivan Velazquez Caballero, i njohur ndryshe me pseudonimet “Talebani” dhe “Z-50”, është komandanti i rrjetit të dhunshëm kriminal Los Zetas.

Mendohet se ai ka kontrolluar disa nga rrugët më të rëndësishme të narkotrafikut drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Arrestimi vjen pak ditë pasi u raportua se Caballero ishte shkëputur nga Los Zetas dhe ishte bashkuar me një kartel rival.

Ivan Velazquez, që u arrestua nga marina meksikane në qytetin San Luis Potosi, thuhet se e kishte kontrolluar territorin e tij me një dhunë të paparë.

Mbi kokën e tij ishte vendosur një shpërblim prej 2.3 milionë dollarësh. Policia saktësoi se trafikanti ishte lideri kryesor i grupit që vepronte në shtetet Zakatekas, Nuevo Leon dhe San Luis Potosi.

Thuhet se ai ka qenë në luftë me një tjetër lider të kartelit, Miguel Trevino, dhe autoritetet dyshojnë se kjo ka shkaktuar një valë masakrash si pasojë e rivalitetit.

Më herët gjatë muajit u konfirmua se karteli famëkeq Los Zetas është ndarë në dy fraksione dhe për këtë arsye Ivan Velazquez kishte bashkuar forcat me Kartelin e Gjirit.

Kreu i kësaj organizate, Jorge Costilla, u arrestua më herët gjatë muajit në qytetin e Tampikos, pas një gjuetie të vërtetë njeriu.

Gjithësesi, rezulton se trafiqet e drogës nga Meksika drejt Shteteve të Bashkuara favorizohen edhe nga zyrtarë të devijuar të shtetit latin.

Për këtë arsye, forcat e armatosura meksikane arrestuan para pak ditësh 35 oficerë policie të akuzuar për lidhje me kartelin Los Zetas, i dyti për nga madhësia.

Ndërsa javën e kaluar një gjeneral i ushtrisë meksikane, Juan Manuel Barragan, që kishte një post të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes, u arrestuar nga policia për korrupsion, pasi u fut në kurth nga karteli i Sinaloas

Top Channel