Iran, arrestohet bashkëpunëtori i Ahmadinejad

27/09/2012 17:10

Një prej bashkëpunëtorëve kryesorë të Presidentit të Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, u burgos për gjashtë muaj për publikimin e materialeve që ofendojnë Liderin Suprem, Ajatollahun Ali Khamenei.

Ali Akber Javanfekr, i cili mban detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Agjensisë Shtetëore të Lajmeve “IRNA”, është një prej disa dhjetëra aleatëve të Ahmadinejad të burgosur gjatë 2012-s.

Ai u ndalua ditën e mërkurë, ndërsa presidenti ndodhej në Nju Jork, për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Sipas ekspertëve, burgosja e Javanfekr përbën përballjen e fundit politike midis Ahmadinejad dhe Liderit Suprem.

Shkrimi fyes i Javanfekr u konsiderua një editorial, në të cilën ai shkruante se perçja e zezë që përdorin gratë iraniane nuk është pjesë e kulturës vendase, por përbën një import nga vendet e tjera islamike.

Javanfekr u arrestua shkurtimisht edhe në vitin 2011, por u lirua pas këmbënguljes së Ahmadinejad.

Top Channel