Për shkak të krizës ekonomike qeveria e Athinës ka nisur proçesin e shitjes së 33 për qind të aksioneve të OPAP, shoqëria që kontrollon bastet sportive.

Operacioni është pjesë e planit të rigjenerimit ekonomik, mbi të cilin pritet të japë dritën jeshile Trojka, për lëshimin e këstit të radhës të ndihmave.

Për të siguruar sa më shumë arkëtime për t’i bërë ballë krizës, shteti grek bëri gati më herët gjatë muajit një listë me ishuj të mëdhenj e të vegjël të pabanuar që mund t’u jepen me qera privatëve ose sipërmarrjeve për një periudhë nga 30 në 50 vjet.

Lista përfshin rreth 40 ishuj për një sipërfaqe që varion nga 500 mijë në 3 milionë metra katrorë, që mund të vlerësohen si lokalitete turistike të nivelit të lartë.

Privatizimet kanë si synim rekuperimin e 19 miliardë eurove brenda vitit 2015 dhe 50 miliardëve brenda vitit 2020. Por deri tani enti i privatizimeve, TAIPED, ka rekuperuar vetëm 1.8 miliardë, duke ngritur jo pak dyshime mbi kapacitetet e tij.

Shitja e ishujve, sipas TAIPED, u përjashtua para së gjithash sepse shteti helen nuk do të kishte fituar më shumë dhe së dyti, sepse përmes qerasë Greqia do të tërheqë më shumë investime.

Në listën e 40 ishujve përfshihen emrat Fleves, në brigjet e Vouliagmenit, në bregun jugor të Athinës, si dhe Neon Stiron, pranë Evias, Alonisos, Skiathos dhe të tjerë pranë Zakintos.

Top Channel