Ishte greva e parë 24 orëshe e sektorit shtetëror dhe atij privat me të cilën përballet qeveria e koalicionit që udhëhiqet nga kryeministri konservator Andonis Samaras dhe që mbështetet nga socialistët dhe e Majta Demokratike.

Më shumë se 100.000 grekë që marshuan në rrugët e Athinës dhe në qytetet e tjera të vendit, kundërshtuan paketën e dytë të masave shtrënguese, më e rreptë se e para, që gjunjëzon përfundimisht shoqërinë dhe shtyn më shumë se 1/3 e popullsisë drejt varfërisë dhe mjerimit.

“Unionet e sindikatave të sektorit shtetëror dhe atij privat (GSEE dhe ADEDY)do të vazhdojnë betejën e tyre në mënyrë që këto masa të padrejta dhe të dhimbshme të mos aprovohen. Ne vazhdojmë betejën tonë për të ndaluar politikat neo-liberale qe po shkatërrojnë sektorin publik”, deklaroi Kostas Tsikrikas, Kryetar i Unionit të Nënpunësve të sekt.shtetëror ADEDY.          

Zemërimi popullor ka arritur kulmin pasi për herë të parë propozohet dhe duket se do të aprovohet, rritja e moshës së pensionit nga 65 në 67 vjec. Në një sondazh të fundit mbi 90% e grekëve besojnë se reduktimet e pagave dhe pensioneve janë tepër të padrejta dhe një barrë e madhe për të varfërit, në një sistem ku lulëzon evazioni fiskal dhe shumë politikanë shihen nga masa e gjerë e njerëzve, si te korruptuar dhe shkaktare kryesore te krizes ekonomike.

Përderisa qeveria e koalicionit Samaras nuk mund të mbrojë të drejtat e shoqërisë dhe pranon të aprovojë masat barbare që cojnë në një holokaust të shoqërisë greke, fjalën e ka tashmë vetëm populli”, tha Aleksis Tsipras, Lideri i SYRIZA.

Nga ana e saj qeveria duket se në orët e fundit ka përfunduar hartimin e paketës së masave me një vlerë prej 11.5 miliard euro dhe së shpejti do ta cojë për aprovim në parlament në mënyrë që të marre dritën jeshile nga ekspertet e trojkës për lëvrimin e këstit prej 31.5 miliard euro, që do ta shpëtojë Greqinë nga falimentimi total.

Megjithë dy paketat e shpëtimit që ka marrë vendi prej 110 dhe 130 miliard euro në tre vitet e fundit, vlerësohet se përsëri Athina do të ketë nevojë për një ndihmë të re financiare, një zhvillim aspak i përshtatshëm për BE dhe FMN që shohin se cështja greke jo vetëm që nuk zgjidhet, por përkeqësohet.

Uashingtoni dhe Brukseli, e sidomos Berlini, tashmë nuk bien dakord se si duhet të mbulojnë boshllëqet e progameve të kursimit që vetë ato i propozuan dhe i imponuan Athinës për ta bërë pas 8 vitesh të menaxhueshëm borxhin grek, që jo vetëm nuk është zvogëluar pas reduktimit të tij me gati 53% para 6 muajsh, por është rritur akoma më tepër.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA