Çështja Assange debatohet në OKB

27/09/2012 18:50

Strehimi politik i Julian Assange u shndërrua në një tematikë e debatuar në selinë e OKB-së në Nju Jork, gjatë një takimi të ministit të Jashtëm Britanik, me homologun e tij ekuadorian.

Themeluesi i “Wikileaks”, aktualisht ndodhet në ambasadën e Ekuadorit në Londër, pasi vendi i Amerikës së Jugut i akordoi të drejtën e azilit.

Megjithatë, dhjetëra policë qëndrojnë çdo ditë rreth perimetrit të selisë diplomatike, në pritje të arrestimit të 41-vjeçarit nëse shkel jashtë territorit të konsideruar si ekuadorian me ligj ndërkombëtar.

Në takimin me ministrin Patino, Hague theksoi se “Britania është një shtet që përfshin në legjislacion garanci të shumta për respektimin e të drejtave të njeriut” dhe i kërkoi qeverisë së Kuitos që të marrë parasysh këto kritere.

Gjithashtu, Hague tha se “Britania është e detyruar që të arrestojë dhe të realizojë ekstradimin e Assange, pasi mbi të rëndon një mandat ndërkombëtar arresti dhe një vendim gjykate që ka rrëzuar apelin e tij”.

Nga ana e tij, ministri ekuadorian përsëriti të drejtat që i lindin themeluesit të “Ëikileaks” nga akordimi i strehimit politik, ndërsa theksoi nevojën për gjetjen e një “zgjidhje diplomatike” mbi çështjen.

Top Channel