Spanjë, rikthehen të indinjuarit

26/09/2012 03:00

“Los Indignados” që kundërshtojnë masat shtrënguese të qeverisë Rahoi u përleshën me policinë në qëndër të Madridit. Protesta “Pushtoni Kongresin” përshkallëzoi kur të indinjuarit u përpoqën të rrëzonin gardhin e metaltë të ngritur përreth ndërtesës së parlamentit.

Mijëra njerëz u grumbulluan në “Platha de Neptuno” në qendër të kryeqytetit spanjoll. Një protestues u plagos dhe disa prej tyre u arrestuan, pas perpjekjeve për të carë gardhin e policisë.

Në manifestin e një prej grupeve pjesëmarrëse në protestë “Koordinadora 25 S” shkruhej se “demokracia është marrë peng dhe se ata do të bënin gjithcka për ta shpëtuar”.

Sipas ligjit spanjoll, personat që udhëheqin protesta jashtë parlamentit, me qëllimin për të penguar funksionimin e tij mund të dënohen deri me një vit burg.

Pas nëntë muajsh në qeveri, kryeministri Mariano Rahoi po i bën qëndresë kërkesës për një paketë të plotë shpëtimi. Nëse ai vendos ta bëjë këtë, do të ndodhë, ndoshta, në fund të tetorit, për shkak të zgjedhjeve rajonale që do të zhvillohen në rajonin e tij Galithia.

Andaluthia po shqyrton mundësinë për të kërkuar 4.9 miliardë euro si kredi urgjente nga qeveria qendrore. Tre rajone të tjerë, Katalunja, Valenthia dhe Murthia kanë deklaruar se do të kërkojnë fonde emergjente.

Ekziston frika se Spanja mund të kërkojë një plan shpëtimi ndërkombëtar mbi 100 miliardë euro, shifër që iu garantua nga ministrat europianë të Financave për të shpëtuar bankat.

Top Channel