Një fotografi me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama dhe asnjë koment nga bashkëbisedimi me të.

Ky është njoftimi që ka lëshuar presidenca e Kosoves lidhur me aktivitetet e presidentes Atifete Jahjaga në Nju Jork, në kaudër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, me bashkëshortin e saj zotin Astrit Kuçi, ishte e ftuar dhe mori pjesë në pritjen tradicionale të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotin Barack Obama, që e organizoi për liderët e shteteve pjesëmarrëse në sesionin e rregullt vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Sipas dokumentit, presidentja Jahjaga dhe liderët e tjerë pjesëmarrës patën rastin që gjatë kësaj mbrëmjeje të takoheshin dhe të bashkëbisedonin me njëri-tjetrin.

Megjithëse në të njëjtin mjedis ndodhej edhe presidenti serb Tomisllav Nikoliç, mes tyre nuk ka patur asnjë shtrëngim duarsh, siç ishte përfolur rëndom në shtyp para vajtjes së liderëve kosvarë në Nju Jork.

Nga ana tjetër, zyra për shtyp e kryeministrit Thaçi ka njoftuar për takimet e tij me përfaqësues të vendeve që e kanë njohur dhe nuk e kanë njohur Kosovën.

I shoqëruar nga zëvendësi i tij Behgjet Pacolli, Thaçi ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Tanzanisë, Bernard Membe.

Në njoftimin për shtyp thuhet se, Thaçi e Pacolli i kërkuan edhe nëjherë ministrit Membe njohjen e shpejtë të Republikës së Kosovës nga Tanzania, si hap të nevojshëm për fillimin e ndërtimit të raporteve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Top Channel