Itali, mafia e lypsarëve

26/09/2012 21:30

Policia italiane në veri të vendit fqinj ka shkatërruar një organizatë të vërtetë kriminale, që nuk merrej as me drogë, as me armë, as me prostitucion, por shfrytëzonte persona të paaftë për t’u mbrojtur si lypsarë në qytetin e Milanos.

Lajmin e bën të ditur ‘Corriere della Sera’, e cila duke cituar autoritetet policore shkruan në edicionin online se bëhej fjalë për një organizatë të mirëfilltë kriminale dhe jo thjesht për lypsarë që dalin për të lypur rrugëve.

Përmes hetimeve, që kanë konsistuar në përgjime telefonike, ndjekje e përgjime, agjentët kanë arritur të zbulojnë se krerët e bandës, të gjithë shtetas rumunë, blinin në vendin e tyre nga familje të varfëra persona të paaftë fizikisht për 2 mijë euro dhe përmes furgonave i transportonin për në Itali, falë hapjes së kufijve pak vite më parë.

Në tërësi policia ka arrestuar 12 persona të konsideruar si anëtarë të organizatës kriminale, të cilët përmes dhunës detyronin ‘skllevërit’ që të lypnin rrugëve dhe këta të fundit për shkak të paaftësisë për të reaguar u luteshin kalimtarëve në rrugët e qytetit.

Sipas rrëfimit të një prej 27 personave të çliruar nga policia, lypsarët duhet t’u çonin padronëve të tyre nga 30 deri në 35 euro në një ditë pune prej 12 orësh, në të kundërt binin pre e dhunës.

Ka qenë pikërisht personi në fjalë që ka treguar gjithashtu se kreu i organizatës, Ibram Saba, 40 vjeç, me anë të fitimeve ka ndërtuar një vilë luksoze në Rumani, që ka kushtuar rreth 1 milion euro.

Por përveç jetës së vështirë në stacionet e metrove dhe autobusëve, ‘skllevërit’ bënin një jetë edhe më të degraduar në momentet kur duhet të çlodheshin pas orëve të punës.

Kjo, pasi ata jetonin në konteinerë të mbytur nga mbeturinat, ku në dysheqet e tyre kalonin edhe minjtë dhe ushqeheshin nga padronët e tyre me ushqime-mbeturina, sikur të ishin kafshë.

Autoritetet italiane kanë deklaruar se nuk bëhet fjalë për një rast sporadik, por për një fenomen të organizuar dhe të shtrirë në të gjithë territorin e vendit fqinj, që është lehtësuar falë anëtarësimit të Rumanisë në Bashkimin Evropian.

Top Channel