Francë, papunësia në nivel rekord

26/09/2012 20:15

Numri i të papunëve në Francë kaloi kufirin e tre milionë personave për herë të parë që prej vitit 1999, treguan të dhënat e Ministrisë së Punës.

Në muajin gusht, 23 900 francezë iu shtuan radhëve të të papunëve, duke rritur numrin e tyre në 3,01 milionë.

Më shqetësues ishte fakti se norma e papunësisë u rrit me 9% në muajin e shkuar, i 16-ti muaj radhazi që shënon rritje.

I pyetur nga gazetarët, ministri i Punës, Michel Sapin, komentoi shkurtimisht se “këto shifra janë qartësisht të këqija”.

Megjithatë, qeveria socialiste e Francois Hollande, fajësoi administratën e mëparshme të Sarkozy për këtë gjendje.

“Këta tre milionë të papunë janë viktimat e reformave dhe politikave të dështuara ekonomiketë disa viteve të fundit. Qeveria është duke zbatuar reforma të menjëhershme, por do të duhet të kalojë pak kohë përpara se të vijnë rezultatet e para”, shtoi ministri i Punës në deklaratën e tij.

Pavarësish shfajësimit të qeverisë, presioni mbi presidentin Hollande është në rritje, pasi në muajt e fundit, disa prej kompanive më të mëdha franceze kanë shkurtuar numrin e tyre të punonjësve.

Së bashku, prodhuesi i makinave “Peugeot”, kompania ajrore “Air-France KLM”, rrjeti i supermarketeve “Carrefour” dhe kompania mjekësore “Sanofi” kanë shkurtuar disa dhjetëra mijëra vende pune.

Top Channel