“Fiksimi” i Hitlerit pas Irlandës

26/09/2012 16:10

Ndonëse asnjë këmbë gjermani nuk mundi të shkelte në Britaninë e Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo nuk e pengoi Hitlerin që në vitin 1940, të përfundonte një plan të detajuar për pushtimin e Irlandës.

Irlanda shpalli neutralitetin e saj gjatë konfliktit më të përgjakshëm në historinë e njerëzimit, por duket se kjo nuk do ta pengonte Gjermaninë naziste që ta pushtonte, ndërsa ishulli duket se përbënte një “fiksim” të vërtetë për “Fyhrer”-in.

Një dosje e sapozbuluar e vitit 1940, është ajo që në fakt mbështet me fakte këtë teori.

Dokumentet e dala në dritë përmbajnë fotografi dhe kartolina të ndryshme nga Irlanda, të marra në studim nga autoritetet ushtarake gjermane, për të identifikuar objektet kryesore që do të bombardoheshin.

Pas fushatës së bombardimit, që mund të vihej në zbatim vetëm nëse Britania do të kishte kapitulluar më parë, një numër divizionesh të motorizuara do të zbarkonin në ishull dhe do të realizonin pushtimin e plotë të Irlandës, siç treguan e detajuara mbi planet e zbarkimit.

Sipas të përditshmes britanike “Daily Mail”, ndërsa lufta me Britaninë u përshkallëzua, Hitleri mendoi një aksion të ngjashëm me një “thikë pas shpine” për Londrën, një pushtim i Irlandës, për të sulmuar nga ishulli tokën britanike.

Megjithatë, ky plani i dytë, i bërë i pamundur nga rrethanat e luftës, nuk u mor kurrë në konsideratë.

Top Channel