Abu Hamza, pezullohet ekstradimi në SHBA

26/09/2012 17:10

Tjetër e papritur në betejën e gjatë ligjore që sheh si të pandehur Abu Hamza al Masri, imami i dënuar në Britaninë e Madhe për nxitje të urrejtes.

Ditën e hënë iu dha drita jeshile ekstradimit të tij në Shtetet e Bashkuara, por të mërkurën, krejt pa pritur, Gjykata e Lartë ka pranuar në momentet e fundit apelin e avokatëve të tij, duke urdhëruar pezullimin e ekstradimit.

Lëvizja në fjalë vjen pasi Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kishte rrëzuar kërkesën për apel të paraqitur nga kleriku radikal. Beteja ligjore e Abu Hamza zgjat për më shumë se tetë vjet dhe deri më sot ka kushtuar miliona paund.

Vetë kleriku pretendon se ai dhe bashkëpunëtorët e tij do të përballen me trajtime çnjerëzore nëse dërgohen në Shtetet e Bashkuara.

Vendimi i së hënës parashikonte gjithashtu që katër të dyshuar të tjerë për terrorizëm, përfshirë ekspertin e elektronikës Babar Ahmad, do të përballeshin gjithashtu me ekstradim në Shtetet e Bashkuara.

Gjithashtu, çështja e klerikut “futi në sherr” BBC me mbretëreshën, për faktin se publikoi një bisedë private të saj me një gazetar, gjë që detyroi rrjetin informativ t’i kërkonte falje monarkes.

Top Channel