Mos vallë jashtëtokësorët për të cilët diskutojmë aq shumë jemi ne vetë? Shkencëtarët pretendojnë se mikrobe të ardhura nga kozmosi e kanë sjellë jetën në Tokë pas udhëtimit milionavjeçar nëpër hapësirë.

Teoria mbështetet në përllogaritje që tregojnë se me shumë gjasa, fragmente gurësh nga planete të sistemeve të tjera mund të kenë rënë në tokë kohë më parë.

Disa prej tyre, nga sa shkruajnë ekspertët në revistën ‘Astrobiologjia’, mund të kenë bartur mikro-organizma të fjetur që kanë arritur t’i mbijetojnë udhëtimit hapësinor, pavarësisht rrezatimit kozmik.

Në të njëjtën mënyrë edhe forma të thjeshta jete nga Toka mund të kenë udhëtuar në planetet jashtë sistemit tonë diellor. Proçesi, i njohur me emrin Lithopanspermia, nënkupton se i gjithë universi mund të ketë jetë të ngjashme me tonën.

“Puna që kemi bërë tregon se një proçes i tillë nuk duhet menduar si i pakonceptueshëm”, thotë doktor Edward Belbruno, i Universitetit Princeton në Shtetet e Bashkuara.

Copëzat e planeteve në hapësirë mund të lëshohen nga shpërthimet e mëdha vullkanike, nga ndonjë impakt meteorik, apo përplasje me trupa të tjerë dhe nëse udhëtojnë relativisht ngadalë ka gjasa të tërhiqen nga graviteti i planeteve pranë të cilëve kalojnë.

Top Channel