Rikthehen sulmet me motive ndëretnike ndaj shqiptarëve në veri të
Mitrovicës. Këtë herë bëhet fjalë për një sulm fizik ndaj një të riu, që
është sulmuar nga persona ende të paidentifikuar.

Ngjarja ndodhi të hënën në mbrëmje në rrugën “Mbreti Peter”, teksa viktima, i identifikuar me inicialet E.D, ishte në shoqërinë e tre personave të tjerë, të gjithë të përkatësisë entike shqiptare.

Këta të fundit fatmirësisht arritën t’i shmangen dhunës, por 22-vjeçari jo. Sipas Policisë së Kosovës, njësiti policor doli menjëherë në vendin e ngjarjes dhe u vu në kërkim të deshmitarëve të mundshëm.

Ndërkaq, viktima u dërgua në Shtëpinë e Shëndetit në Mitrovicë për ndihmë mjekësore. Sipas policisë, tek i riu shqiptar janë vërejtur shenja të dukshme të lëndimeve, përkatësisht gërvishtje në fytyrë dhe dhëmbë të thyer, të shkaktuara nga agresorët.

Për momentin policia nuk raporton për persona të arrestuar, por konfirmon se motivet e sulmit kanë të bëjnë me urrejtje ndërentike.

Sipas saj, veprime të tilla janë të organizuara nga grupe të strukturara të të rinjve të përkatësisë etnike serbe. Edhe ky rast është regjistruar si vepër kriminale, konkretisht “sulm fizik dhe lëndim i rëndë trupor”.

Policia e Kosovës njofton se ka kërkuar nga stafi udhëheqës i stacionit policor në veri të Mitrovicës, që të trajtojë me prioritet identifikimin dhe arrestimin e sulmuesve.

Top Channel