Kina paralajmëron Japoninë

25/09/2012 15:45

Kina paralajmëroi Japoninë se nuk do të tolerojë asnjë dhunim të sovranitetit të saj territorial, në bisedime të nivelit të lartë që synojnë të zbusin tensionet në lidhje me pretendimet për një grup ishujsh të ndodhur në Detin e Kinës Lindore.

Paralajmërimi u bë nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Zhang Zhijun, në prezencë të homologut të tij japonez.

Deklarata u publikua e plotë në faqen zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Më parë gjatë ditës, në një ceremoni madhore, Kina përuroi aeroplanmbajtësen e saj të parë, ndërsa peshkarexha tajvaneze lundruan deri pranë ishujve Senkaku, për të protestuar edhe ato për shkeljen e sovranitetit të vendit të tyre.

Tajvani është shteti i tretë që pretendon ishujt.

Tensionet në këtë zonë delikate të Azisë kanë qenë të larta, që kur Japonia bleu ishujt nga pronari i tyre i ligjshëm më parë gjatë muajit shtator.

Kjo mënyrë e vendosjes së këtij territori nën sovranitetin kombëtar konsiderohet si e paligjshme dhe “kërcënuese” për rendin botëror nga Pekini zyrtar.

Kinë, gati aeroplanmbajtësja e parë

Në Kinë ka hyrë në shërbim aeroplanmbajtësja e parë, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes në Pekin.

Anija e gjatë 300 metra, e quajtur “Liaoning”, sipas emrit të provincës ku u restaurua, është një model sovietik i blerë nga Ukraina.

Për momentin anija nuk ka kapacitete operative dhe do të përdoret vetëm për stërvitje, por autoritetet kineze thonë se objekti, që u është nënshtruar testeve të shumta detare, do të rrisë kapacitetet e tij për të mbrojtur interesat e vendit.

Njoftimi për anijen vjen në një moment kur Japonia dhe vende të tjera të Azisë kanë shprehur shqetësimet e tyre për rritjen e fuqisë detare të Kinës.

Kina dhe Japonia kanë nisur një luftë diplomatike për ishujt e diskutueshëm në Detin Lindor të Kinës. Vende të ndryshme të kontinentit pretendojnë sovranitetin mbi ishujt.

Anija “Liaoning” fillimisht i është dorëzuar marinës në një ceremoni të ndjekur nga liderët kryesorë të superfuqisë aziatike në portin e Dalianit, ka bërë të ditur agjencia “Xin  Hua”.

“Pajisja me këtë aeroplanmbajtëse do të sjellë një rritje domethënëse të kapaciteteve luftarake të vendit, për t’i çuar në nivel modern”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Azi, varkat tajvaneze në Detin Lindor

Dhjetëra varka tajvaneze lundruan drejt ishujve të diskutueshëm në detin e Kinës Lindore, në shenjë proteste, ndërkohë që diplomatë të lartë japonezë e kinezë takoheshin në Pekin për të ulur tensionet.

Ishujt, të quajtur Senkaku në Japoni dhe Diaoju në Kinë, kontrollohen nga Japonia por sovraniteti mbi ta pretendohet edhe nga Kina e Tajvani.

Tensionet në rajon kanë qenë të larta që kur Japonia deklaroi se do t’i blinte ishujt nga pronari i tyre privat japonez. Varkat tajvaneze, përfshirë disa të rojës bregdetare, tani janë larguar nga zona.

Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm japonez, Chikao Kaëai, që ndodhet në Pekin për një vizitë dyditore, po takohet me homologun kinez Zhang Zhijun, për të qetësuar ujërat pas protestave anti-japoneze të mbajtura në qytetet kineze.

Anije mbikëqyrëse kineze dhe varka peshkimi kanë lundruar gjithashtu rreth ujërave të ishujve në ditët e fundit, pas njoftimit të qeverisë së Tokios se do t’i blejë ishujt.

Një zëdhënës i rojës bregdetare tajvaneze tha për BBC se 58 varkat mbërritën në ujërat e diskutueshme rreth orës 05:00 me orën lokale, pasi ishin nisur nga një port verior tajvanez ditën e hënën.

Varkat e peshkimit shoqëroheshin nga shumë varka të rojës bregdetare. Flota u kthye në Tajvan pasi qëndroi në zonë për disa orë, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Top Channel