Izraeli, lëshime ndaj palestinezëve?

25/09/2012 15:25

Ministri i Mbrojtes i Izraelit, Ehud Barak, bëri thirrje për një tërheqje të njënashme nga pjesa më e madhe e Bregut Perëndimor, nëse bisedimet e paqes me palestinezët do të dështojnë.

Në një intervistë me të përditshmen “Israel Hayom”, Barak propozoi braktisjen e disa dhjetëra vendbanimeve hebrehe, ndonëse theksoi se disa vendbanime të mëdha do të mbeten.

Në bazë të planit të tij, do të vazhdohet të ruhet një prezencë ushtarake në kufirin me Jordaninë.

Bisedimet për zgjidhjen mbi bazën e formimit të një shteti palestinez janë pezulluar që prej vitit 2010, si rrjedhojë e mosgjetjes së një akordi mbi ndërtimin e vendbanimeve.

Presidenti i Autoritetet Palestinez, Mahmoud Abbas, deklaroi se nuk do të rifillojë bisedimet direkte deri në ndërprerjen e punimeve për ngritjen e vendbanimeve të reja dhe pranimin prej Izraelit të kufirit ekzistues të vitit 1967, përpara ndryshimeve të imponuara me luftë, si baza për kufinjtë e Palestinës, me disa modifikime të pranueshme.

Rreth 500 mijë hebrenj jetojnë në më shumë se 100 vendbanime të ngritura në territorin e pushtuar të Bregut Perëndimor apo Jeruzalemit Lindor.

Vendbanimet konsiderohen si të paligjshme në bazë të ligjit ndërkombëtar, ndërsa Tel Avivi nuk e pranon këtë.

Top Channel