BBC i kërkon falje mbretëreshës

25/09/2012 14:55

Rrjeti informativ më i madh në Britaninë e Madhe dhe një ndër më të rëndësishmit në botë, BBC, është përplasur me mbretëreshën dhe është detyruar t’i kërkojë asaj falje.

BBC ka kërkuar falje për faktin se publikoi lajmin se mbretëresha në një takim me ministrat kishte shprehur shqetësimin e saj mbi aktivitetet e klerikut radikal Abu Hamza al Masri.

Ishte korrespondenti për çështjet e sigurisë Frank Gardner që tha për BBC detajet e bisedës private që ai vetë kishte pasur me mbretëreshën.

Ditën e hënë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi që Abu Hamza të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara dhe Ministria e Brendshme britanike shpreson që kjo të realizohet brenda tre javësh.

Gardner u tha dëgjuesve në BBC Radio 4, se mbretëresha i kishte shprehur shqetësimin personal qeverisë së mëparshme laburiste lidhur me çështjen e Abu Hamza.

Gazetari zbuloi gjithashtu se monarkja i kishte thënë atij në një takim privat se sa e dëshpëruar ndihej për faktin se Abu Hamza nuk mund të arrestohej.

Ai tha më tej se banorja e Buckingham Palace kishte folur për këtë çështje edhe me ministrin e atëhershëm të Brendshëm.

Por në një letër dërguar pallatit mbretëror, BBC thotë se biseda mes Gardner dhe mbretëreshës duhet të kishte mbetur private dhe se vetë rrjeti informativ dhe gazetari ndjejnë keqardhje për shkeljen e besimit.

Në letër thuhet më tej se zbulimet ishin tërësisht të papërshtatshme dhe se Gardner ndihet jashtëzakonisht i keqardhur dhe ka kërkuar falje. Nga ana e tij Buckingham Palace dhe Home Office kanë refuzuar të bëjnë komente.

Top Channel