Komuna e Prishtines njoftoi të hënën se ka filuar shtrimi i pllakave në sheshin “Ibrahim Rugova”, duke i futur kështu punimet në sheshet në qendër të qytetit në fazën e fundit të realizimit të projektit.

Pllakat janë të trashësisë 18 centimetra dhe sipas prodhuesit gjerman, këto pllaka kanë mundësi të përballojnë peshën e qarkullimit deri në 40 tonë, peshë kjo që është sipas standardeve të autostradave më moderne që po ndërtohen.

Sipërfaqja e përgjithshme e sheshit “Ibrahim Rugova” është 16.000 m² dhe vlera e përgjithshme e ndërtimit është 4.351.218 euro.

Njëkohësisht, komuna është duke punuar edhe disa metra më tej me sheshin tjetër “Zahir Pajaziti”, sipërfaqja e përgjithshme e të cilit është 17.000 m² dhe vlera e përgjithshme e ndërtimit është 4.772.180 euro.

Përveç pllakave në sheshin “Ibrahim Rugova” është punuar edhe bazamenti dhe busti i presidentit, hapësire gjelbëruese 2.800 m², ulëse, tre shatërvanë të formave të ndryshme, ndriçimi i ulët dhe i lartë, Muri Memorial, Shkallët e Teatrit Kombëtar dhe bazamenti i shtatores së Skënderbeut.

Top Channel