Ambasadorja e Shteteve te Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracy Jacobson ka thënë se vendosja e sundimit të fortë të ligjit në Kosovë është thelbësore si për vendin ashtu edhe për shtetet fqinje. Këto deklarata Jacobson i ka bërë gjatë një simpoziumi rajonal për dëshmitë financiare dhe konfiskimin.

Ambasadorja ka thënë se të gjitha qeveritë në rajon duhet të bashkëpunojnë për kontrollin e krimit të organizuar, uljes së shkallës së korrupsionit, parandalimin e kriminelëve që të përfitojnë nga krimet e tyre.

Gjithashtu, ajo ka thënë se është inkurajues fakti që Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi, kanë përparuar shumë në ndjekjen e krimit të organizuar në vendet e tyre.

“Kosova për shembull, së shpejti do të ketë Kodin e Proçedurës Penale dhe kjo do të ketë ndëshkime më të rënda për zyrtarët e korruptuar, për krimet ekonomike, apo grupet e organizuara dhe do të pajisen prokurorët me mjete më të forta për të zbuluar dhe ndjekur krimin. Reforma të ngjashme janë bërë në secilin nga shtetet e tjera. Natyrisht që kriminelët nuk respektojnë ligjin, grupet e organizuara shpesh shtrihen përtej kufijve dhe fshehin pasuritë e tyre në vende të ndryshme”, ka deklaruar Jacobson.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njëherëah ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se në Kosovë të gjithë janë të përkushtuar që të bëhet mbledhja e dëshmive financiare, por edhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Sipas tij, Ministria e Drejtësisë është përpjekur në mënyrën e saj më të mirë, por edhe më urgjente që të adresojë disa nga kërkesat themelore të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Për më tepër, ai ka thënë se kjo ministri ka punuar ngushtë edhe me ambasadën amerikane, në mënyrë që të ripërcaktohen veprat penale dhe ashpërsimi i tyre.

“Gjyqtarët dhe prokurorët tanë nuk kanë qenë asnjëherë më të fuqishëm me instrumentet ligjore, se sa me këto dy instrumente të fundit. Prandaj, sot unë i bëj thirrje Kuvendit të Kosovës që të mbështesë këto ligje, Kodin e Proçedurës Penale dhe ligjin për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, në mënyrë që të mundësohet që që më 1 janar të vitit 2013, të shpallet edhe një luftë më e madhe e pa tolerancë kundër kriminelëve dhe krimit të organizuar”, ka theksuar Kuçi.

Edhe per Kuçin, lufta kundër krimit të organizuar nuk mund të bëhet vetëm, prandaj bashkëpunimi rajonal nuk është vetëm i dobishëm, por i domosdoshëm.

Top Channel