Deklarata e kryeministrit serb, Ivica Daçiç për ndarje të Kosovës nuk paraqet kërcënim për Prishtinën zyrtare. Ide të tilla, sipas zyrtarëve qeveritarë, nuk janë të reja dhe janë të kundërshtueshme edhe nga bota demokratike.

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, duke i’u kundërpërgjigjur Daçiç, ka thënë se për çdo ndryshim të kufijve në Ballkan duhet që të tjerët të mendojnë më shumë se shqiptarët.

“Nuk është ide e re as nga zoti Daçiç, as nga Serbia. Është një ide që është kundërshtuar nga bota demokratike, është kundërshtuar nga ne. Pavarësia e Kosovës është kompromisi që e kanë bërë shqiptarët në rajon, pavarësia e Kosovës nuk ka qenë optimumi që kanë dashur shqiptarët në rajon”, ka deklaruar Kuçi, sipas të cilit Serbia me këto ide tenton të destabilizojë Ballkanin.

“Serbia është ajo që tenton të bëjë telashe, njëherë me genocid për të ndalur pavarësinë, pastaj me përpjekje për të ndarë Kosovën. Ne kemi menduar se Daçiç ka ndryshuar, kemi menduar jo ai si individ, por Serbia si mentalitet, por këtu përgjigjen më të mirë do të japë bota demokratike. Çdo kërkesë ose lëvizje në këtë drejtim ka lëvizje tektonike dhe pastaj duhet të mendojnë të tjerët më shumë se shqiptarët”, ka thënë nënkryetari i PDK-së.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka injoruar deklaratën e kryeministrit serb, i cili dikur ishte zëdhënës i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç.

“Ne tani nuk do të merremi me komentimin e deklaratave të Daçiç. Mendoj se gjithë politika në Kosovës, madje edhe mjetet e informimit, e dinë mirë historinë e tij”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se Kosova duhet të ketë planin e saj dhe të dijë se si do të shkojë dhe për çfarë do të bisedojë me Serbinë.

Ndërkaq, i pyetur për këtë temë, numri dy i qeverisë, Hajredin Kuçi ka deklaruar se së pari duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura deri më tani në Bruksel dhe pastaj të shihet se çfarë do të bëhet më tutje.

Top Channel