Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga kryeministri Hashim Thaçi dhe zyrtarë të tjerë janë takuar të dielën në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara me sekretarin e përgjithshëm të kësaj organizate, Ban Ki-moon.

Në takim presidentja Jahjaga e vlerësoi si të rëndësishme vizitën e sekretarit të përgjithshëm në Kosovë këtë verë, duke theksuar se Kosova është një rrëfim i suksesit të përbashkët, edhe i partnerëve ndërkombëtarë, që kanë punuar me qytetarët dhe institucionet e Kosovës në shtetndërtimin e saj, thuhet në një njoftim të Presidencës.

Duke folur për përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë, presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës kanë marrë përgjegjësitë e plota duke siguruar njëkohësisht se parimet themelore të përcaktuara me Kushtetutë dhe me Deklaratën e Pavarësisë do të zbatohen për të gjitha komunitetet.

Ajo tha se Kosova ka hapur një kapitull të ri si kontribuuese për paqen dhe stabilitetin në rajon. Presidentja Jahjaga foli edhe për dialogun me Republikën e Serbisë, duke theksuar se dialogu nuk është rruga më e mirë, por rruga e vetme për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe për të vendosur politikat e fqinjësisë së mirë, si një parakusht për integrimin në BE.

Ajo tha se Republika e Serbisë duhet të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel që do të mundësonin vazhdimin e proçesit të dialogut për çështjet teknike të interesit të përbashkët.

Ndërsa lidhur me gjendjen në tri komunat në veri të Kosovës, presidentja tha se strukturat ilegale dhe kriminale serbe, të mbështetura nga institucionet e Serbisë, po i mbajnë peng qytetarët serbë në këtë pjesë dhe po e shkelin integritetin territorial të vendit.

Ajo tha se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që të dialogojnë me qytetarët serbë në këtë pjesë të vendit për të gjetur zgjidhje për të gjitha çështjet dhe për të ndihmuar në inkuadrimin e tyre në jetën institucionale të Republikës së Kosovës.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, tha nga ana e tij se i gjithë rajoni duhet të shikojë drej integrimeve euroatlantike dhe të punojë më shumë në ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes dhe vlerësoi rolin që po luan BE-ja në gjithë rajonin e Ballkanit.

Top Channel