YLLI POLOVINA – Pikërisht në këtë të përditshme, gazeta “Shqip”, tre
muaj më parë, më 27 maj 2012, autorit të këtyre radhëve iu botua shkrimi
“Një harrim tjetër mund të ngjasë”. Ishte thjesht një kujtesë që të mos
dilte nga vëmendja jubileu i nëntëdhjetë i Kongresit themelues të
Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare.
Ai ishte mbajtur në qytetin e Beratit më 10 shtator 1922 dhe dy ditë më vonë bëri shpalljen e saj publike. Punimet i mbylli në ditën e nëntëmbëdhjetë të muajit, sigurisht i gëzuar që edhe qeveria e kohës, e drejtuar nga Xhaferr Ypi dhe me ministër të Brendshëm Ahmet Zogun, në një vendim me numrin 807 kreu njohjen zyrtare të këtij institucioni mjaft të rëndësishëm të identitetit kombëtar, duke deklaruar se kjo vepër e të krishterëve ortodoksë shqiptarë ishte e mbështetur në parimin e pavarësisë së vetë shtetit. Kjo donte të thoshte se procesi i mëvetësimit të Shqipërisë vetëm kishte nisur më 28 nëntor 1912 dhe nuk mbyllej me një kabinet qeveritar, por përbënte një ngrehinë të tërë komplekse, pjesët dhe strukturat e së cilës do të krijoheshin njëra pas tjetrës, nëpër vite dhe dekada. Midis kësaj mëkëmbjeje ishte edhe Kisha Ortodokse Autoqefale.
Tre muaj më parë, artikulli “Një harrim tjetër mund të ngjasë” u shkrua i sigurt se nëntëdhjetëvjetori i një ngjarjeje të shënuar kombëtare, që përkonte me njëqindvjetorin e pavarësimit, në mënyrë absolute nuk mund të nënvlerësohej apo anashkalohej. Harrimi as që mund të përfytyrohet. Shkrimi u bë jo të paralajmëronte një harrim të vërtetë, por që të nxiste sadopak kujdesin për ta nderuar jubileun sa më hijshëm.
Por për fat të keq ndodhi më e pabesueshmja: përvjetori u la mënjanë. Themi “u la mënjanë”, sepse logjika më e thjeshtë të çon tek arsyetimi se u harrua vetëdijshëm. Kjo ngjarje dihet nga dhjetëra mijëra shqiptarë, sepse duke filluar nga fundi i viteve njëzet të shekullit të shkuar, ajo është shkruar në të gjitha librat e historisë së shkollave tona. Këtë, doemos, e di mjaft hollësisht edhe Akademia e Shkencës e Shqipërisë, e cila bashkë me Institutin e Historisë, më 19 shtator 1992, në përvjetorin e shtatëdhjetë të shpalljes së kësaj kishe, e përkujtoi me disa kumtesa studimore. Madje, në shtator 2007, në përvjetorin e tetëdhjetepestë, këtë vepër të bukur e kreu, me një intervistë për Radio Vatikanin, edhe kryeredaktori i gazetës “Ngjallja”, organ i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ku është shënuar posaçërisht se ka themelues kryepeshkopin Anastas.
Që këtë messhtator kjo kishë dhe institucion jetik i pavarësimit real të Shqipërisë mbushte jubileun e nëntë dekadave të shtetit tonë njëqindvjeçar e dinte fare mirë edhe bashkësia e besimtarëve të krishterë ortodoksë. Doemos që kishte njohuri të mjaftueshme edhe klasa politike, shoqatat e shumta, shtëpitë botuese… E dinte Tirana, Korça dhe patjetër qyteti ku u krye vepra sublime, Berati. Edhe gazetat e dinin në majë të gishtave çfarë pati ngjarë nga 10 deri më 19 shtator 1922.
Si u iku të gjithëve nga duart(?!)
Është një harrim i rëndë, i ndodhur para syve tanë. I shkaktuar në kulmimin e një procesi të drejtë për ta plotësuar historinë tonë me pjesët e saj të munguara apo të shtrembëruara rëndë.
I pambrojtshëm prej asnjë lloj justifikimi, kjo që ndodhi dëshmon se diçka po vazhdon të mungojë në sovranitetin tonë fetar të krishterë ortodoks. Nuk bëhet fjalë që ky përvjetor të shpërdorej nga disa ultra lokalë, zelli i të cilëve është mobilizuar në shpalljen armiq të drejtuesve aktualë të kësaj bashkësie e ca më pak të bashkatdhetarëve të thjeshtë ortodoksë, pjesë e nderuar e shoqërisë shqiptare dhe festues të dëshiruar e të sinqertë, si të gjithë ne, të 100-vjetorit të ditëshpalljes së Pavarësisë. Ajo që do të ishte inteligjente këtë nëntëdhjetëvjetor dhe do ta çlironte ngjarjen nga keqkuptime dhe interpretime të shtrembra, do të ishte një veprimtari, e cila mund të kryhej fare mirë nga vetë Hirësia e Tij, Janullatos. Me nismën dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të këtij teologu profesionist, kjo përkujtimore mund t’i jepte shoqërisë sonë dhe vetë jubileut të 100-vjetorit një mesazh harmonie dhe mirëkuptimi, duke davaritur qoftë edhe fare pak, një dyshim që rri përherë pezull dhe bren ndërgjegjen tonë kombëtare për rolin e ndryshëm në krye të kësaj Kishe Autoqefale të një kleriku me etni shqiptare apo helene. Historia jonë, si e çdo populli, provon se edhe personalitete me kombësi tjetër i kanë shërbyer mjaft devotshëm dhe madje për këtë vepër edhe janë vrarë nga shovenë të huaj, si albanologu kroat Milan Shuflaj. Pra, shërbesa nga një etnikisht joshqiptar, nuk përbën argument fuqiplotë për ta refuzuar apo paragjykuar.
Ja pse Hirësia e Tij kësaj here mund të ishte vetë nismëtar…
Po të ndodhte kjo, i dituri Janullatos do ta kishte më të lehtë e më të drejtë të na mblidhte përreth në çdo 17 prill, në nderim të asaj dite të shënuar, kur në vitin 1937, Patriarkana Ekumenike me në krye Patrikun Beniamini I, e pranoi, pesëmbëdhjetë vite më pas nga vetëshpallja, Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare.
Ishte shumë i shtrenjtë ky nëntëdhjetëvjetor. Nuk duhej t’ia punonim këtë rreng.
Ishte sikur t’ia bënim 28 Nëntorit 1912, të cilin e kemi ditëthemelimin e shtetit tonë të pavarur, edhe pse këtë çast ai ishte vetëm një akt vetëshpallës. Shumë më vonë Shqipëria u njoh nga bashkësia ndërkombëtare. Veç kjo e fundit nuk do të ndodhte kurrë po të mos ishin ata guximtarë, me në krye Ismail Qemalin.
Në autoqefalinë e Kishës sonë Ortodokse nuk do të ekzistonte një 17 prill 1937 dhe asgjë tjetër më pas, madje as vetë mbrothësia shqiptare e Hirësisë së Tij, pa ato nëntë ditë të shtatorit 1922.
Top Channel