“Newsweek”: Obama, Reagani i demokratëve

24/09/2012 21:45

Pasi kritikoi ashpër presidentin e Shteteve të Bashkuara me titullin “Obama, ik në shtëpi”, e përjavshmja “Newsweek” ka ndërruar kurs.

Tani, ajo jo vetëm që është rreshtuar përkrah shefit të Shtëpisë së Bardhë për rizgjedhjen e tij, por shkon edhe më tej duke e cilësuar si “Ronald Reagani i demokratëve”.

Kopertina e revistës i është besuar Andrew Sullivan, një konservator i penduar, sipas të cilit në katër vitet e ardhshme Obama mund të ndryshojë rrënjësisht Amerikën.

Sipas sondazheve të fundit, presidenti Barack Obama kryeson me jo pak pikë ndaj rivalit republikan Mitt Romney në tre shtete kyçe.

Rezultati më i rëndësishëm, sipas një sondazhi të “Wall Street Journal” dhe “ABC News” të publikuar të enjten, u regjistrua në Ajoua, ku presidenti kryeson me 8 pikë avantazh krahasuar me sfidantin.

Por avantazhi i Obama është edhe më i fortë, pesë për qind, edhe në Kolorado e Uiskonsin, tregonin rezultatet e sondazhit, të kryer nga agjencia “Marist Poll”, me një marzh gabimi prej 3%.

Sondazhi i ri, shkruante “Wall Street Journal” pak ditë më parë, ishte kryer pak pasi ishte shfaqur videoja me gafat e famshme të Romney mbi “46 për qindëshin e parazitëve”.

Ndërsa një tjetër sondazh, i kryer 11 ditë më parë nga e njëjta agjenci për “WSJ” dhe “NBC”, nxirrte presidentin përpara rivalit republikan në tre shtete të tjera të konsideruara po aq jetike për fitoren në zgjedhjet e 6 nëntorit.

Bëhej fjalë për Floridën, me Obaman 5 pikë para Romney, Ohajon, me kreun e shtetit 7 pikë para dhe Virxhinian, ku avantazhi ishte sërish pesë pikë.

Top Channel