Policia e Kosovës arrestoi gjashtë persona si të dyshuar për krim të organizuar, posedim dhe shpërndarje të substancave narkotike.

Në një komunikatë për shtyp policia njofton se dy prej të arrestuarve janë shtetas të Serbisë dhe katër të tjerët shtetas të Kosovës.

Gjatë operacionit të koduar me emrin “Ylberi” policia konfiskoi edhe gjashtë kilogramë substancë narkotike të llojit heroinë.

Aksioni në fjalë u zhvillua mbrëmjen e së dielës, në lokacione të ndryshme në Kosovë si Prishtinë, Prizren, etj. Gjatë zhvillimit të këtij operacioni policia ka konfiskuar edhe dy pistoleta, tetëdhjetë fishekë dhe tre automjete.

I tërë operacioni policor për arrestimin e të dyshuarve dhe konfiskimin e substancave narkotike ka qenë i autorizuar nga Prokuroria e Qarkut të Prishtinës.

Operacioni i ndërmarrë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë është mbështetur gjatë realizimit të tij nga njësi të tjera policore si Drejtoria e Përgjithshme, njësitet e DHTN-së nga rajoni i Prishtinës dhe i Prizrenit, dhe nga njësiti K9.

Lidhur me këtë rast policia njofton se është në kërkim edhe të disa të dyshuarve të tjerë tashmë të identifikuar, që dyshohet se kanë qenë pjesë e këtij grupi kriminal.

Personave të arrestuar, në konsultim me prokurorin kompetent, u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e proçedurave të tjera gjyqësore.

Top Channel