Ministri, shpërblim për kokën e regjizorit

23/09/2012 09:05

Një zëdhënës i qeverisë pakistaneze dënoi shpërblimin prej 100 mijë dollarësh të ofruar nga një ministër i kabinetit për kokën e regjizorit të filmit anti-islamik.

Zëdhënësi Shafqat Jalil deklaroi të dielën për “BBC” se qeveria “distancohej tërësisht” nga qëndrimi i “vajtueshëm” i ministrit të Hekurudhave, Ghulam Ahmad Bilour.

Filmi i prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderohet si fyes ndaj Profetit Islamik dhe vetë muslimanizmit.

Si rrjedhojë, ai ka ndezur një valë protestash në vendet e Lindjes së Mesme dhe në Afrikën Veriore, të cilat i kanë kushtuar jetën dhjetëra besimtarëve dhe ambasadorit amerikan në Libi, të vrarë më parë gjatë shtatorit pas një sulmi në konsullatën e Bengazit.

Shpërblimi për vrasjen e regjizorit erdhi në ditën në të cilën në përballjen me policinë përpara ambasadës në Islamabad, të paktën 25 pakistanezë mbetën të vrarë.

Në një deklarim publik, ministri i Hekudhave pati thënë: “Do të shpërblej me 100 mijë dollarë këdo që vret regjizorin e atij filmi dhe nëse dikush do të bëjë ndonjë material të tillë në të ardhmen, do t’i ofroj përsëri të njëjti shpërblim. Liria e shprehjes nuk mund të përfshijë ofendimin e Profetit. Nëse kjo do të ndodhë, e ardhmja do të jetë tepër e rrezikshme për të gjithë”.

Filmi, nga i cili qeveria amerikane është “distancuar tërësisht”, u regjistrua në mënyrë amatore në SHBA nga një regjizor i krishterë egjiptian.

Top Channel