Pas sulmit kundër konsullatës se Shteteve të Bashkuara në Bengazi më 11 shtator, ku mbeti i vrarë ambasadori Kristofer Stevens dhe tre amerikanë të tjerë, është shtuar revolta kundër grupeve të armatosura islamike ne Libi.
Të premten, protestues dhe policë mësynë selinë qendrore të milicisë “Ansar Al Sharia”, në shënjestër të akuzave për sulmin. Ata i vunë flakën makinave duke evokuar skenat e kryengritjes kundër regjimit të Muamar Gedafit. Të paktën 10 persona humbën jetën.
Si Ansar Al Sharia, ashtu edhe një nga milicitë më të fuqishme në lindje të Libisë “Brigada Abu Slim” deklaruan shpërbërjen dhe largimin nga pesë bazat e tyre në Derna, në lindje të Bengazit. Derna, qyteti portual, buzë detit Mesdhe, konsiderohet si një bazë e islamikëve. Përmes një deklarate, “Ansar Al Sharia” e shpjegoi largimin nga bazat në Bengazi me sigurinë e qytetit.
Autoritetet libiane vendosën të ngrenë Qendrën Operative në Bengazi bashkë me ushtrinë, forcat e Ministrisë së Brendshme dhe brigadat e ish-kryengritësve, tashmë nën kontrollin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Pushteti qendror në Libi është ende i dobët. Të gjithë janë të shqetësuar për sigurinë e mbi të gjitha për vënien nën kontroll të milicive të armatosura, jo vetëm atyre islamike. Udhëheqësi i grupit “Ansar Al Sharia”, në një interviste për BBC-në tha se ashtu si islamikët e tjerë, përfshi këtu edhe Al Kaedën, ata e kundërshtojnë nocionin e një “Libie demokratike, të stilit perëndimor”. Sipas tij, demokracia nuk përputhet me Islamin. Ndjekësit e vijës së ashpër kanë të drejtë vetëm në një pikë, shkruan BBC: “Beteja për Libinë, ende nuk ka mbaruar”.
Megjithatë zgjedhjet e para demokratike në vend dëshmuan se shumica e njerëzve mbështesin një të ardhme të moderuar myslimane për vendin, pas 42 viteve të diktaturës së Gedafit. Ndoshta, tërheqja e milicive të armatosura nga Bengazi u nxit më shumë nga revolta popullore se sa nga presioni i qeverisë.
Top Channel