Gjysma e vendimeve të Gjykatës së Lartë për vitin 2011 nuk janë botuar
në fletoren zyrtare për shkak të vonesave në shpalljen e tyre deri në
pesë muaj.

Raporti vjetor ‘Transparenca e Botimeve Zyrtare në Republikën e Shqipërisë’ konstaton përkeqësim të situatës në pushtetin gjyqësor, sa i takon shpalljes brenda afateve ligjore e më pas botimit të këtyre vendimeve.

“Gjatë vitit 2011, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë dhënë 15 vendime, prej tyre 13 janë unifikuese. Në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë janë të publikuara 5 vendime unifikuese civile, 6 vendime penale. Në Fletoren Zyrtare gjenden të botuara 7 vendime gjithsej. Vetëm nga ky ballafaqim i thjeshtë rezulton se vetëm në 2011 nuk janë botuar 4 vendime unifikuese të Gjykatës së Lartë”, thotë Gerti Shella, nga Qendra për Cështje të Informimit Publik.

Raporti thotë se përgjegjësia mbetet tek gjyqtarët të cilët bëhen shkas për vonesat në shpalljen e vendimeve, si pasoje e mos arsyetimit të tyre brenda afateve që u cakton ligji.      

“Fatkeqësisht na është dashur të mësojmë se për shkak të vonesave në shpalljen e vendimeve, po aq sa është e mundur që dikush të qëndrojë padrejtësisht në burg, mund të qëndrojë edhe jashtë ballafaqimit me drejtësinë dhe mandej këto të prodhojnë pasoja të pathyeshme, deri dhe me humbjen e jetëve të funksionarëve të rendit”, thotë Shella.

Sa i takon Gjykatës Kushtetuese për herë të parë në 2011-n, janë identifikuar tre vendime të saj të pabotuara në faqen zyrtare çka sipas raportit konsiderohet shqetësuese për performancë e këtij institucioni. Raporti  thekson se në pushtetin ekzekutiv situata vijon të mbetet problematike sa i përket botimit të udhëzimeve të ministrave, kusht ligor ky i domosdoshëm që ata të hyjnë në fuqi. Kështu në Ministrinë e Bujqësisë, 75 % e udhëzimeve janë të pabotuara. Kjo Ministri pasohet nga ajo e Arsimit me 40 % të udhëzimeve të pabotuara dhe ajo e Financave me 22 % të totalit të udhëzmeve të pabotuara.

Top Channel