Tubim anti-kinez në Japoni

22/09/2012 13:25

Tubimeve kineze para ambasadës japoneze në Pekin, u janë përgjigjur mijëra japonezë që u mblodhën në rrugët dhe sheshet e Tokios ditën e shtunë, për t’u ndalur para ambasadës kineze.

Dy vendet janë përfshirë në një tension të përshkallëzuar diplomatik për cështjen e sovranitetit të një grupi ishujsh të pabanuar në Detin e Kinës Lindore.

Protesta nisi në orën 14:00 me orën lokale (07:00 ora jonë). Protestuesit brohorisnin parrulla nacionaliste dhe mbanin në duar pankarta anti-kineze.

Para godinës së selisë diplomatike të Republikës Popullore Kineze, turma u ndal nga mijëra forca sigurie që të paralajmëruar për protestën kishin marrë masat e nevojshme.

Në dyert e ambasadës pati disa incidente sporadike mes protestuesve dhe policisë, por nuk raportohen të lënduar.

Si Japonia, ashtu edhe Kina pretendojnë sovranitetin mbi një grup ishujsh të njohur me emrin Senkaku nga Tokio dhe Diaeyu nga Pekini. Ishujt janë të pabanuar, por shkak i tensioneve është zona e influencës dhe pasuritë që përmban nëntoka e rajonit.

Top Channel