Vuçiç në Francë: Serbia s’është në linjë me politikën botërore për shkak të Kosovës, duhen vendime të guximshme Kosova është ende larg liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian për shkak të shumë kritereve të paplotësuara nga institucionet. Ky është një vlerësim i shoqërisë civile, përkatësisht Grupit për Studime Juridike dhe Politike.
Siguria e dokumenteve, kufiri shtetëror dhe menaxhimi i migracionit, rendi dhe siguria publike, si dhe të drejtat themelore në lidhje me lirinë e lëvizjes janë disa nga fushat ku institucionet e Kosovës duhet të punojnë shumë.
Në një publikim me titullin “Një matricë vlerësimi mbi arritjet dhe sfidat e Kosovës në përmbushjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, analistët Fisnik Korenica dhe Dren Doli thanë se, matrica është rezultat i një monitorimi disamujor të performancës së institucioneve të Kosovës në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga udhërrëfyesi.
“Analiza jonë në përgjithësi tregon se proçesi i liberalizimit të vizave në Kosovë duhet të jetë prioritet themelor i qeverisë dhe se qeveria duhet të rrisë dinamikën në zbatimin e kushteve, përndryshe Kosovës do t’i zgjatet edhe më shumë ky proçes kaq i rëndësishëm për qytetarët e vendit”, tha Korenica.
Sipas këtij studimi të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, plotësimi i objektivave nga institucionet e Kosovës variojnë nga blloku në bllok.
“Është e rëndësishme që të thuhet se Blloku 2 dhe Blloku 3, veçanërisht blloku mbi sigurinë publike dhe menaxhimin e kufirit shtetëror, mbeten blloqet ku Kosova ka shënuar progres shumë të ulët, në krahasim me blloqet tjera”, sqaroi Doli.
Në këtë drejtim është e rëndësishme të thuhet që Blloku 3, objektivat e të cilit kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka një vlerësim të ulët. Përsa i përket Bllokut 2, objektivat e të cilit lidhen me kontrollin e kufirit shtetëror dhe migracionit, ai është vlerësuar me notën më të dobët.
Top Channel