Pakistan, rëndohet bilanci i protestave anti-SHBA

22/09/2012 00:00

Të paktën 25 persona janë vrarë në protestat e dhunshme që kanë shpërthyer në qytetet kryesore të Pakistanit, kundër filmit anti-Islam të prodhuar në Shtetet e Bashkuara.

Dhjetë persona kanë mbetur të vrarë në qytetin-port të Karaçit, ndërsa pesë të tjerë në qytetin veri-perëndimor të Peshauarit. Viktima pati edhe në Lahore dhe në kryeqytetin Islamabad, ndërkohë që qindra të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Gjithashtu, protestuesit kanë kaluar enklavën diplomatike në kryeqytetin Islamabad, në afërsi të ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Korrespondenti i BBC deklaron se ka të ngjarë që bilanci të rëndohet pasi shumë persona të tjerë janë plagosur rëndë.

Një ditë më parë, policia pakistaneze u përplas dhunshëm me demonstruesit e irrituar për filmin përpara ambasadës amerikane në Islamabad.

Përballë turmës prej mijëra besimtarësh, forcat e rendit u detyruan të përdornin gaz lotsjellës dhe plumba gome. Ambasada ishte vënë në alarm pas raportimeve për mundësinë e ngjarjeve të dhunshme, të ngjashme me ato që i kushtuan jetën ambasadorit amerikan në Libi, Christofer Stevens.

Sipas të dërguarit të “BBC”-së në Pakistan, disa prej demonstruesve u shprehën se nuk do të largoheshin nga ambasada pa i vënë më parë flakën asaj. Aktualisht, masat e sigurisë përreth selisë diplomatike janë të nivelit më të lartë të mundshëm.

Top Channel