Irani: Lufta me Izraelin do të vijë

22/09/2012 16:10

“Lufta e Izraelit ndaj Iranit do të vijë herët e vonë”. Kështu ka deklaruar gjenerali Mohammad Ali Jafari, komandant i Gardës Revolucionare iraniane.

Megjithatë, oficeri i lartë ushtarak ka theksuar se vendi i tij është gati të përgjigjet dhe të shkatërrojë tërësisht shtetin hebre.

“Lufta herët a vonë do të vijë, por nuk është e sigurtë kur dhe ku do të mbahet”, ka thënë komandanti i Pasdaranëve në një konferencë për shtyp.

Tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë shtuar së fundmi, sidomos pas deklaratave të presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad, që e cilësoi Izraelin si “një kancer që duhet shuar”.

Nga ana e tij Izraeli deklaron se ndaj Iranit duhet vepruar sa më parë ushtarakisht, për të ndalur afrimin e tij me bombën bërthamore. Gjithashtu, qeveria izraelite iu përgjigj deklaratave të Ahmadinejad, duke thënë se:

“Kushdo që mendon se mund të çrrënjosë Izraelin nga hartat gjeografike dhe vepron për këtë qëllim, ta dijë se do të ketë përballë peshën e fuqisë sonë ushtarake”.

Deklarata u bë nga shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura izraelite, gjenerali Benny Gantz, i cili i dërgoi një mesazh të qartë Iranit.

Gantz cilësohet nga mediat lokale si një nga zërat më të moderuar përsa i përket opsionit për një sulm të Izraelit ndaj Republikës Islamike.

Top Channel