Fjalimi historik që ndryshoi Europën

22/09/2012 09:45

Udhëheqësit gjermanë dhe atë francezë do të përkujtojnë 50-vjetorin e fjalimit të ish-presidentit francez, Charles de Gaulle që shihet si momenti historik që vendosi kthesën në përmirësimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

De Gaulle në vitin 1962 kishte vizionin dhe kurajon për t’i shtrirë dorën e bashkëpunimit Gjermanisë, pas viteve të tëra ngrirje marrëdhëniesh si pasojë e Luftës së Dytë Botërore.

“Ju jeni fëmijë të një kombi të madh, që keni bërë gabime të mëdha”, tha ndër të tjera De Gaulle në fjalimin e tij para të rinjve gjermanë gjatë një vizite të rrallë për kohën në Gjermani. Ish-presidenti francez kërkoi bashkëpunim mes dy vendeve dhe hedhjen në harresë të konflikteve të gjata mes tyre.

Fjalimi i tij shihet edhe sot e kësaj dite si embrioni i rrugës së gjatë dhe bashkëpunimit të thellë mes Gjermanisë dhe Francës, për të ardhur në ditët e sotme, kur të dyja këto vende janë lideret e Eurozonës.

Si Parisi ashtu edhe Berlini rezervojnë një bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrin për të kaluar krizën, por jo vetëm kaq. Me ardhjen në pushtet të Francois Hollande bashkëpunimi dukej sikur do zbehej pak, pas këndëvështrimeve të ndryshme që kishte presidenti francez dhe kancelarja gjermane për daljen nga kriza financiare.

Por me kalimin e ditëve, këto mosmarrëveshje janë sheshuar dhe dy vendet, përvec angazhimit në nxjerrjen e Eurozonës nga kriza, po punojnë edhe në strategjinë e mbrojtjes ajrore me sistemet EADS dhe BAE.

Top Channel