“Tirana Fest” e ka kthyer sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet në një arenë argëtimi, ku njerëz të shumtë janë mbledhur për të ndjekur nga afër aktivitetet festive.
Festivali, i cili po zhvillohet këtë fundjave në Tiranë, fokusohet kryesisht në promovimin e vlerave kristiane dhe fjales së Zotit. Eventi ka mbledhur shumë të interesuar pas sporteve ekstreme dhe muzikës.
Por ka pasur edhe të tjerë që ishin aty për të dëgjuar predikimet e pastorit të njohur Luis Palau. Festivali dyditor nisi mëngjesin e së shtunës me disa aktivitete dedikuar fëmijëve.
Sheshi u shndërrua në një hapësirë argëtimi ku nuk munguan zbavitjet, vizatimet në fytyrë dhe lojrat e ndryshme.
Pasditen e së shtunës publiku ka ndjekur me kureshtje por edhe me emocion e frikë performancën e sportistëve ekstremë, që mbi bicikleta e motorë kanë bërë akrobacira gati të pabesueshme.
Më pas në skenë janë ngjitur artistë e këngëtarë shqiptarë e të huaj, që me këngët dhe interpretimet e tyre kanë argëtuar personat e mbledhur në shesh.
Ndër ta një grup ‘gospel’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fituesit e Albanians Got Talent, Fiqiri Luli e Sabina Troshku, si dhe këngëtaret Juliana Pasha, Saimir Braho e Florian Nazifi.
Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha ka qenë i pranishëm në këtë eveniment. Në fjalën e tij ai ka përshëndetur iniciativën e cila bazohet mbi dashurinë, besimin dhe shpresën.
Ndërsa i ftuari special, Luis Palau ka predikuar mbi dashurinë për Zotin dhe rëndësinë e besimit në të.
Top Channel