Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se ndarja është zgjidhja e vetme për çështjen e Kosovës, edhe pse ka shprehur shqetësimin për pasojat e saj.

“Mendoj se ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme reale dhe jam i sigurt se atë do ta pranonin edhe shqiptarët në Prishtinë. Mirëpo, shtrohet pyetja nëse një gjë e tillë mund të shkaktojë protesta në rajon”, ka thënë Daçiç.

Sipas tij, në këtë situatë mund të pranohet çdo zgjidhje tjetër kundrejt kërkesës eventuale të Bashkimit Evropian për të njohur Kosovën në këmbim të integrimit.

“Në këtë moment duhet të çtensionohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe deri në anëtarësimin tonë duhet të gjenden zgjidhje të qëndrueshme”, ka thënë Daçiç për mediat serbe.

Kryeministri serb ka shtuar më tej se për marrjen e datës së fillimit të negociatave të anëtarësimit BE nuk mund të kërkojë njohjen e Kosovës, kur këtë vend nuk e kanë njohur 5 anëtarë të BE-së.

Një ditë më parë, Daçiç shprehu interesin e tij që në çështjen e Kosovës të angazhohen edhe Shtetet e Bashkuara për një zgjidhje të qëndrueshme.

Qëndrimin e tij Daçiç e shprehu në takimin me ambasadorin e ri amerikan në Beograd, Michael Kirby, ku tha se, qeveria e tij angazhohet që problemet me Kosovën t’i zgjidhë me dialog.

“Ne presim ndihmën e SHBA që të arrihet një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme, duke respektuar interesat legjitime të serbëve dhe të shqiptarëve”, deklaroi Daçiç.

Top Channel