Siri, rrëzohet helikopteri në Damask

20/09/2012 00:00

Një helikopter është rrëzuar në afërsi të kryeqytetit sirian, Damaskut, ka deklaruar televizioni shtetëror lokal.

Helikopteri thuhet se është rrëzuar në afërsi të Doumës, një lagje periferike në lindje të Damaskut. Në fund të gushtit, rebelët deklaruan se qëlluan një helikopter në rrethinat e Damaskut.

Qeveria siriane ka rritur përdorimin e helikopterëve dhe mjeteve të tjera ajrore në luftën kundër kryengritësve që nisi vitin e kaluar. Ditën e mërkurë ka pasur një intensifikim të luftimeve në Damask dhe në qytetin verior të Alepos.

Amnesty International paralajmëroi se sulmet ajrore pa kriter dhe ato me artiljeri të rëndë kanë shkaktuar një rritje drastike të vdekjeve në radhët e civilëve në Idlib dhe Hama.

Ndërkohë, në kufirin turk, rebelët morën nën kontroll një postobllok, i treti që bie në duart e tyre, dhe hoqën flamurin sirian.

Korrespondenti i BBC në Beirut deklaroi se kjo mund t’u mundësojë atyre të marrin luftëtarë dhe municione brenda dhe nga jashtë Sirisë.

Top Channel