Kryebashkiaku i Kukësit rreh inxhinierin në gjykatë

20/09/2012 00:00

Gjatë një procesi civil të zhvilluar në zyrat e gjykatës, Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj e ka goditur jo vetëm me karrige,   por edhe me grushta inxhinjerin Muhamet Dalaçi, i cili është paditës në këtë proces.

Menjëherë pas këtij sulmi në gjykate, kryebashkiaku Hasan Halilaj është larguar në drejtim të paditur, ndërsa i dëmtuari i është drejtuar komisariatit numer dy në Tiranë për të kryer kallëzimin për ngjarjen.

”Këtë shkallë dhune nuk e kam përjetuar kurrë në jetën time, aq më tepër është e paprecedent për gjykatën. Gjykatësja Rezerta Vigani bëri sehir ndërsa dhunohesha dhe lajmëroi policinë vetëm pas rrahjes. Konkretisht, gjykatësja kërkoi provat, ndërsa avokati i shtetit kërkoi shtyrje të seancës me pretekstin se juristja e Ministrisë së Arsimit është me trajnim jashtë vendit. Zotëria (dhunuesi), gjithashtu nuk ishte dakord me shtyrje. Bëri replikë me gjyqtaren dhe ndërsa unë po nxirrja letrat nga çanta, më sulmoi fizikisht, pa llogaritur sharjet dhe fyerjet ndaj meje”, u shpreh Dalaçi, me shenja të qarta dhune në fytyrë.

Ky proces civil ka palë të paditur Bashkinë e Kukësit, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Financave dhe zyrën e Bankës Botërore në Shqipëri.

Në faqen zyrtare të gjykatës, kjo çështje ka si objekt detyrimin e bashkëndërgjygjësve të nderpresin cënimin e të drejtave të autorit si dhe të paguhen dëmet që i jane shkaktuar paditesit me veprimet dhe mosveprimet e tyre.

Dalaçi shpjegon se zanafilla e ketij konflikti gjyqësor ka lidhje me projektin për ndërtimin e shkollës “Bajram Curri” në Kukës.

”Unë e njoh shumë mirë dhunuesin tim, i cili është kryebashkiaku i Kukësit, me të cilin firmosa një kontratë në vitin 2008, të cilën e realizova sipas kushteve duke i dorëzuar objektin”, shtoi Dalaçi.

”Top-Channel” u përpoq të vendosej në komunikim me zotin Halilaj, por Kryetari i Bashkisë së Kukësit ishte i paarritshëm për mediat.

Top Channel