Një delegacion i Prishtinës zyrtare do të jetë këto ditë në Nju Jork,
për të ndjekur Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që fillon ditën e
enjte.

Sipas raportimeve të “RTK”, ndonëse nuk mund të jenë aktivë në punimet e asamblesë, zyrtarët kosovarë do ta përdorin vizitën e tyre për t’u takuar me zyrtarë të vendeve të tjera, për të lobuar për njohjen e pavarësisë.

Ndaj kësaj pranie ka reaguar partia kryesore e opozitës, LDK, e cila e ka cilësuar si të ekzagjeruar numrin e zyrtarëve që përbëjnë delegacionin.

“Është e papranueshme që të dërgohet një delegacion prej dhjetëra anëtarësh në Nju Jork, aq më shumë kur dihet se Kosova ka ambasadën e saj në Uashington dhe konsullatën e përgjithshme në Nju Jork, zyrtarët e të cilëve e kanë për detyrë të shoqërojnë delegacionet zyrtare”, ka deklaruar LDK.

Sipas saj, në takimet që organizohen gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, delegacionet nuk mund të përbëhen nga më shumë se 4 ose 5 persona.

“Udhëtimi i një numri kaq të madh të zyrtarëve të lartë të shtetit dëshmon edhe një herë se politika e jashtme e Kosovës është plotësisht e çakorduar dhe po humb çdo relevancë të takimeve”, ka thënë LDK.

Kjo parti ka theksuar më tej se, i mbetet publikut të shohë se cili zyrtar po premton më shumë njohje dhe cili po përgënjeshtron tjetrin më shpejtë se ajo njohje ka ndodhur ose nuk ka ndodhur.

Top Channel