Kryeministri serb Ivica Daçiç ka deklaruar se Serbia është e interesuar
të ndërtojë marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qëndrimin e tij Daçiç e ka shprehur në takimin me ambasadorin e ri amerikan në Beograd, Michael Kirby, ku ka thënë se, qeveria e tij angazhohet që problemet me Kosovën t’i zgjidhë me dialog.

“Ne presim ndihmën e SHBA që të arrihet një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme, duke respektuar interesat legjitime të serbëve dhe të shqiptarëve”, ka deklaruar Daçiç.

Nga ana e tij ambasadori Kirby ka shprehur interesin e Uashingtonit që në Serbi të krijohet një klimë tërheqëse për investitorët amerikanë, bën të ditur “B92”.

Ndërkohë, në tetor Beogradi do të vizitohet nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, bëri të ditur një ditë më parë gazeta serbe “Danas”, që citonte burime diplomatike.

Gazeta shkruante se, Clinton do të takohet me autoritetet më të larta serbe për të diskutuar mbi çështjen e Kosovës dhe integrimit të Serbisë në BE.

Gjithashtu, të tjera çështje në diskutim do të jenë bashkëpunimi mes dy vendeve në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Clinton e vizitoi për herë të fundit Beogradin në tetor të vitit 2010, si pjesë e një turi ballkanik. Atëherë ajo dhe autoritetet serbe diskutuan për integrimin e Serbisë në BE dhe dialogun me Kosovën.

Top Channel