Shqipëria në shitje!

19/09/2012 00:00

DAUT GUMENI – Këto ditë që ziejnë nga tenderimet e pasurisë kombëtare,
të nxjerrë në shitje nga pushteti sikur ta kishte mallin e babait,
tregojnë se deri ku mund të shkojnë ethet për sundim absolut e deri ku
mund ta katandisë skotën pushtetare makutëria e saj e pashuar për
pasurim të pandalshëm me të gjitha mënyrat e mundshme, pa u penguar nga
asnjë skrupull.

Vetë fakti që pazaret e këtij lloj pushteti me pasurinë kombëtare të shqiptarëve bëhen në fshehtësi të plotë nga sytë e publikut, dëshmon se çfarë e shtyn pushtetin aktual të verbohet aq keq sa të nxjerrë në shitje Shqipërinë (!) Duket sheshit që shtysa kryesore e këtij palo pushteti për të nxjerrë në shitje dhe vetë Shqipërinë, është ngutja për të gjetur para që të blejë sërish pushtetin e votave të vjedhura, që me atë pushtet të blerë me para të vjedhura, të vjedhë përsëri zgjedhjet e të qëndrojë përsëri në pushtet për të shtuar sa më shumë pasurinë vetjake të një klike kleptokrate dhe të garantojë kështu mundësinë e ëndërruar për ta përsëritur një cikël të tillë sa ta “thërrasë i Gjithëfuqishmi”…

Dhe këtë përfundim mund ta nxjerrë cilido qytetar i këtij vendi, po qe se u hedh një sy veprimeve të këtij pushteti të sëmurë. Kujt nuk i kujtohet se si na e paraqiti pushteti blerësin e ARMO-s? Na paskësh qenë një “firmë amerikane (më konkretisht një firmë nga Teksasi i manjatëve të naftës) me përvojë në fushën e hidrokarbureve dhe me zotimin për të investuar në teknologjitë më të reja të nxjerrjes dhe të përpunimit të arit të zi”…

Kështu tha pushteti kur nisi shfaqjen e tenderimit të ARMO-s, por shumë shpejt pas fitores së tenderit e morën vesh shqiptarët e ndërkombëtarët se firma “amerikane” paskësh qenë e një biznesmeni shqiptar aq shumë të namatisur e të laturisur nga vetë brigadieri i këtij pushteti demokratikas kur luante pjesën e opozitës. Kush nuk i kujton rrebet që lëshoheshin kundër “kontrabandistit më të madh të Ballkanit”, i cili tani fitoi tenderin e ARMO-s, duke na u paraqitur si një firmë e madhe nga Teksasi? Se këto lloj pushtetesh kanë fuqi edhe për ta kthyer “kontrabandistin më të madh të Ballkanit” në një biznesmen të suksesshëm nga Teksasi i Kolonjës sonë të bukur shqiptare…

Sido që në këtë Shqipërinë e mrekullive të pushtetit, edhe çudia më e madhe zgjat vetëm tri ditë, përsëri nuk besonte njeri se pushteti aktual do të arrinte deri aty sa të nxirrte Shqipërinë në shitje(!) Të gjithë e kanë parë me sytë e tyre se sa dorëlëshuar është ky lloj pushteti me shpenzimet elektorale e propagandistike, sikurse të gjithë i kanë parë me sytë e tyre ato mitingjet me kuadrate të punonjësve zyrtarë, që mbulohen me flamuj të mëdhenj blu, a thua se partia në pushtet është parti e ish-Ministrisë së Brendshme të diktaturës dhe po kremton festën e “policisë popullore”… Por askujt nuk i shkonte mendja se bujaria e këtij lloj pushteti për ta bërë buxhetin e shtetit parulla e banderola propagande, do ta zbrazte aq keq atë të shkretë buxhet publik sa dhe miu të thyejë kokën dhe pushteti të detyrohet të nxjerrë Shqipërinë tonë në shitje(!)

Dhe jo se ky lloj pushteti e ka ndonjë kufi në makutërinë e vet të pafre për pasurim vetjak me çdo kusht e me çdo mënyrë të mundshme, jo! Por se kjo e shkretë Shqipëri është e të gjithë shqiptarëve dhe nuk është pronë e pushtetarëve! Se pushtetet e sëmura mund të kuturisin t’u rrëmbejnë qytetarëve të tyre edhe pronën private, sikurse kanë vepruar pushtetarët tanë të tranzicionit me pronën e pronarëve të shpronësuar nga diktatura. Mund të kuturisin këto lloj pushtetesh të kalbura nga zullumet, edhe të vjedhin e të grabitin pjesë nga pasuria kombëtare e të gjithë shqiptarëve, por nuk beson dot njeri në këtë botë se kjo skotë pushtetarësh e përbërë nga komunistët më pa karakter të Partisë së Punës do të kuturiste një ditë deri aty sa të nxirrte në shitje mbarë Shqipërinë(!)

Se tenderi aq “transparent” që u zhvillua para pak ditësh për shitjen e “Albpetrol”-it, nuk është tender për shitjen e një ndërmarrjeje të thjeshtë për të gjetur ca para pushteti, që ka shpërdoruar aq keq buxhetin e shtetit për nevoja të pushtetit. Jo, zotërinj! Nxjerrja në shitje e “Albpetrol”-it, jo vetëm si ndërmarrje e nxjerrjes së naftës, por edhe si burime të naftës e të gazit të këtij vendi, është nxjerrje në shitje e Shqipërisë. Dhe për këtë krim nuk do të hynte në punë as referendumi popullor, se nuk pyetet populli kurrë nëse dëshiron të shesë Atdheun!

Cilido shqiptar nuk besoj se do të alarmohej kaq, po qe se pushteti i mbetur trokë për para, do të hapte tenderin për një koncesion mbi disa vendburime shqiptare të naftës apo të gazit, por gjithnjë një koncesion të përcaktuar mirë në interes të Shqipërisë e të shqiptarëve. Sepse kushtet e atij koncesioni do të mbanin gjithnjë parasysh si interesat e Shqipërisë e të shqiptarëve për pasurinë e tyre kombëtare, por edhe interesat e punëtorëve të atij sektori, edhe interesat e ruajtjes së një mjedisi të shëndoshë. Pa do të parashikoheshin me hollësi e me saktësi edhe investimet kapitale të fituesit të koncesionit, në mënyrë që pas mbarimit të afatit përkatës, ato investime teknologjike t’i mbeteshin shtetit shqiptar. Sikurse do të parashikoheshin dhe fitimet e duhura të shtetit shqiptar nga dhënia me koncesion e asaj pasurie kombëtare e do të parashikohej mënyra dhe sasia e taksimit të fituesit të koncesionit dhe pjesa e fitimit që i takon shtetit shqiptar, pa harruar dhe dyshemenë e pagave për punëtorët shqiptarë të atij koncesioni. E kështu me radhë…

Pa mëtuar t’u hyj në pjesë juristëve që merren me kontratat koncesionare, i rendita tërë këto hollësi vetëm për të më lejuar lexuesi të shtroj një pyetje themelore: Ku e morën të drejtën këta pushtetarë të nxjerrin në shitje pasurinë kombëtare të shqiptarëve sikur ta kishin pronë që ua ka lënë trashëgim babai? Sado të verbuar që janë për pushtet e për fitimet personale që u sjell pushteti i blerë me paratë e vjedhura nga shqiptarët e thjeshtë, kësaj skote pushtetarësh nuk ka asnjë ligj të këtij vendi që u jep të drejtë për të nxjerrë në shitje Shqipërinë! Nuk parashikohet në asnjë ligj të këtij vendi që pushtetarët të sillen si pronarë të pasurisë kombëtare e të vetë Shqipërisë. Edhe me mandat të vjedhur me anën e zgjedhjeve të dhunuara, ky lloj pushteti nuk është pronar i pronës publike të shqiptarëve dhe i Shqipërisë, por është bërë me zor vetëm administrator i asaj prone. Ky lloj pushteti i sëmurë rëndë nga ethet e qëndrimit të përjetshëm në karrige dhe nga fitimet që nxjerr duke abuzuar me atë karrige pushteti, nuk ka mandat popullor as për administrimin e pronës publike të shqiptarëve e jo më për të nxjerrë vendin në shitje!

Se t’i nxjerrësh në shitje pasuritë më të mëdha të nëntokës dhe veprat energjetike, do të thotë të nxjerrësh në shitje Shqipërinë. Se, menjëherë pas tenderit skandaloz të “Albpetrol”-it, ku shumat e paraqitura nga firmat pjesëmarrëse flasin qartë për një pazar të fshehur keq midis pushtetit dhe firmave që prodhojnë pajisje higjieno-sanitare apo që merren me transportin e kompjuterëve kinezë nga Azia në Amerikë, na u ngut pushteti aktual të nxjerrë në shitje jo pako gjë, por katër hidrocentralet më fitimprurëse të sistemit tonë energjetik. Dhe kjo në një kohë që ndërmarrjet e sistemit energjetik shqiptar po përpiqen të falimentojnë njëra-tjetrën nën vëzhgimin e këtij pushteti kleptokrat, që duket se mezi pret të falimentojnë ndërmarrjet shqiptare për t’i blerë pastaj pushtetarët me pesë kacidhe (!)

Atëherë çdo shqiptar ka të drejtën e robit e të Zotit të mendojë se këto marrëzi pas marrëzish që po dëshmon pushteti aktual i Tiranës me pasurinë kombëtare, mund të jenë përpjekjet e tij të dëshpëruara për të fshehur synimin e privatizimit të pasurive kombëtare nga pushtetarët tanë makutë. Por, si të gjithë krimet e kësaj bote, edhe vjedhja “ligjore” e pasurive kombëtare, duke privatizuar pasuritë e Shqipërisë me paratë e pista të nxjerra me thes nga abuzimet me pushtetin, nuk fshihen dot pas firmave që rrinë në hapësirën mes tre kontinenteve, por kanë rastisur pa adresa e pa siguri bankare…

Është thjesht një përpjekje e dështuar e këtij lloj pushteti për të fshehur minaren në thes. Vetëm se këtë herë, thesi është pasuria kombëtare e shqiptarëve dhe nuk beson njeri se do t’u ndritë kleptokratëve tanë të tranzicionit të gjatë. Ai thes është vetë Shqipëria e të gjithë shqiptarëve dhe nuk është trasta e pushtetarëve tanë dhjakonarë e kusarë të pafytyrë. Kjo është dhe arsyeja pse besoj që ai thes, që është Shqipëria jonë e bukur, do t’u lidhë një ditë grykën pushtetarëve tanë hajdutë e do t’i mbyllë brenda. Dhe ashtu të mbyllur në thesin me grykë të lidhur, besoj që do të kujtohen dhe pushtetarët e tranzicionit tonë për ato vargjet e pavdekshme të poetit vlonjat Ali Asllani: “Koha është e maskarenjve/ Po Atdheu është i shqiptarëve!”

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA