Një grup ish-anëtarësh të UÇK-së u shpallën fajtorë për krime lufte nga një Gjykatë në Beograd dhe u dënuan me një total prej 116 vitesh heqje lirie në total.

Midis 17 të akuzuarve, gjashtë u shpallën të pafajshëm, nga juria e drejtuar prej gjykatëses Snezhana Nikoliç-Graotiç, në një proces të cilit media serbe i kushtoi shumë vëmendje.

Sipas Agjensisë së Lajmeve “Tanjug”, grupi i kosovarëve torturoi deri në vdekje rreth 80 persona, shumica e të cilëve serbë dhe pjesa tjetër nga pakicat e tjera etnike në Kosovë.

“Tanjug” shtoi se 34 viktima të të dënuarve vazhdojnë të jenë të humbur, ndërsa të paktën 153 shtetas serbë u arrestuan në mënyrë ilegale prej tyre, u torturuan dhe u liruan më pas.

I ashtuquajturi “Grupi i Gjilanit”, në bazë të zonës ku operoi, përbëhet nga Agus Memsi, Samet Hajdari, Nazi Hajdari, Ahmet Hasani, Burim Fazli, Selmon Sadiku, Faton Hajdari, Ferat Hajdari, Kamber Sahiti, Sadik Alija dhe Sefket Musliju, të dënuar secili me nga 12-15 vjet heqje lirie.

Pafajësinë e fituan Fazlija Ajdari, Rexhep Shaqiri, Alija Idrizi, Halim Ramanani.

Megjithatë, Zyra Serbe e Krimeve të Luftës u shpreh e pakënaqur për verdiktin e dhënë. “Drejtësia është vendosur në vend vetëm pjesërisht, duke konsideruar krimet e tmerrshme që ata kryen”, u shpreh drejtuesi i kësaj zyre, prokurori Bruno Vekariç.

Top Channel