Maturantët në të gjithë vendin morën përgjigjet dhe renditjen e degëve që kanë fituar në universitetet në vend.
Afishimi është bërë në mënyrë elektronike, por janë afishuar edhe listat e fituesve në fakultete. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, ka vendosur se do të lihen pesë ditë kohë për regjistrimet e fazës së parë. Më pas do të vendoset për fazën e dytë se sa ditë do të lihen në dispozicion, menjëherë pas rishpërndarjes së kuotave të mbetura bosh.
Për herë të parë, këtë vit Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka bërë të mundur që regjistrimi i kandidatëve të bëhet online, nëpërmjet internetit. Më pas ditën e parë të çeljes së vitit akademik fituesit përfundimtar do të bëjnë edhe regjistrimin përfundimtar në shkolla.
“Regjistrimi online u jep mundësi studentëve të rinj të regjistrohen mjaft thjesht, pa qenë nevoja të udhëtojnë për të shkuar në sekretaritë e fakulteteve ku janë shpallur fitues dhe kursejnë shpenzimet, kohën. Mjafton që të kenë akses në internet dhe mund ta realizojnë regjistrimin online për një kohë shumë të shkurtër”, tha Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit.
Sipas manualit të regjistrimit, maturantët regjistrohen në faqen zyrtare duke klikuar mbi “Konfirmoj regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar”. Kjo do të thotë së këtë vit nuk do të ketë çregjistrime nga faza paraprake në atë përfundimtare, që i referohej pozicionimit të preferencave sipas rëndësisë, siç ka ndodhur në përvojat e kaluara të Maturës Shtetërore.
Bazuar në manualin e MASH, kandidati për student që në listën paraprake shpallet fitues në një fakultet të caktuar, ndërsa në listën përfundimtare listohet fitues në një degë më sipërore, do të duhet të ndjekë studimet në fakultetin e parë, jo në atë të dytë.
Top Channel