ARTAN MULLAJ – Në analizën e tij të fundit, Skënder Minxhozi, sillte në
vëmendje të dhënat e “Qendrës për Çështjet Europiane dhe të Sigurisë,
pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim”, sipas së cilës, krimi
në Shqipëri është mbi dyfish më i lartë se në vendet e tjera të rajonit.
Shifër e frikshme, por jo e papritur. Brezi ynë po shikon gjithnjë e më shumë njerëz të vdekur rrugëve, lokaleve, banesave. Publiku shqiptar bombardohet çdo ditë e më tepër me lajme të kobshme. Fëmijët tanë shohin në çdo edicion lajme me njerëz që hidhen nga ballkonet, me koka të prera, me trupa të copëtuar grash, me vrasje në autobus për motive banale, me krijesa që lënë frymën e fundit në trotuare e asfalte, me policë që lënë fëmijët e tyre jetimë për hir të detyrës. Çdo kohë ka kufoma të reja në territorin e Shqipërisë, që shtohen përditë e më shumë. Janë kufoma vrasjesh makabre, që shtohen vrullshëm. Shtohen… shtohen si për të krijuar një turmë shpirtrash, një turmë hijesh, që lëviz nga thellësia e botës tjetër drejt dyerve të qeverisë së Sali Berishës, për të kërkuar shpagim për ikjen e parakohshme nga kjo botë dhe llogari për vlerën e cunguar të jetës…
***
Të flasim për realitetin. Vendi është në krizë të thellë. Këtë e pranojnë në heshtje edhe kabinarët e Kryeministrit, me gjithë euforinë e turpshme të sukseseve të mëdha, që ai publikon neveritshëm në kohën më të errët të vendit. Në çdo statistikë dhe në çdo parashikim, të dhënat e ekonomisë sonë nxijnë që larg prej varfërisë, papunësisë, rritjes së ulët ekonomike. Biznese të mbytura në borxhe, biznese që falimentojnë, biznese që ndëshkohen. Fshatarë që vit pas viti hedhin prodhimet në lumë dhe shpenzojnë më shumë nga ç’prodhojnë. Mbrapa aktiviteteve private nuk mund të mos ndiesh dëshpërimin e pronarëve, tek shohin se si rrënohet pasuria e tyre; se si shkojnë dëm vitet e punës, se si prishen gabim paratë e vështira të emigrimit.
Të flasim për gjëra serioze. Nëse biznesi shqiptar është në vështirësi, arsimimi është drejt katastrofës. Arsimi shqiptar ka lidhje me arsimin, vetëm nëpërmjet ortografisë së përcaktuar në fjalorin e gjuhës. Kushtet mizerabël për shumicën e nxënësve i shtohen realitetit arsimor me mësues militantë të zbritur nga hallet, nga malet, që lanë gunat dhe kërrabat për të edukuar brezin e ri në kryeqytet. Diploma false, universitete fantazma, pedagogë të korruptuar e hajdutë, maniakë seksualë e parash, me zarfe ryshfetesh në xhepa, si një fyerje dhe një kurth i së ardhmes, në çdo anë…
Të flasim për gjëra edhe më serioze. Nëse biznesi shqiptar mezi mbushet me frymë, shëndetësia ka perënduar sytë. Shqiptarët paguajnë gjithë jetën sigurime që nuk ofrojnë asnjë siguri realisht. Çdo gjilpërë, çdo shërbim, çdo aspirinë, çdo mjekim, çdo operacion duhet paguar deri në një. Në spitalet tona do të ndeshësh patjetër doktorë amfitikë, me bisturi dhe dollarë në duar, që u thëthijnë pikat e fundit të gjakut pacientëve të pashpresë; xhambazë ilaçesh, infermiere si laviret e telenovelave, që sëmurin më keq fatkëqijtë e sëmurë me sjellje, me shërbime dhe mjekime të skaduara.
Të flasim për gjëra shumë serioze. Çdo vend i botës, diktaturë apo demokraci, e ka një shtet. Ne nuk kemi një të tillë. Shqipëria nuk ka shtet. Shqipëria ka një klikë që sundon. Ka një bandë të korruptuarish, që e përdhunojnë këtë vend në çdo cep, e shqyejnë, e vjedhin, e shpërdorojnë dhe e shkarravitin në të gjitha kuptimet. Në Shqipëri ka një bandë të cilës “nuk i rruhet” shumë për njeriun, për biznesin, për arsimin, për shëndetësinë, për pasurinë e vendit, për kufijtë shtetërorë, për cilësinë dhe sigurinë e jetës, për fëmijët dhe për moshën e tretë.
Me të drejtë Skënder Minxhozi në shkrimin e tij shtron pyetjen: Nëse shteti nuk bën ato gjëra për të cilat është krijuar, për çfarë duhet tjetër?
Natyrisht, ky “shtet” që nuk është shtet, ekziston për të na vjedhur e poshtëruar çdo ditë. Çfarë duhet të ndodhë më shumë se kaq që njerëzit të kuptojnë se vendi është në një situatë dramatike? Pak më shumë se 8 muaj para zgjedhjeve, Shqipëria i ka të gjitha shenjat për të rrëshqitur drejt kolapsit të plotë. Tetë vjet në pushtet, nuk kanë lënë qelizë të paprekur. I kanë futur thonjtë në bregdet, kanë mjelë doganat, kanë rrëmbyer shërbimet, kanë monopolizuar energjinë, kanë shtuar kriminelët, kanë shtuar të vdekurit, kanë shtrenjtuar jetesën, kanë shitur pasuritë e pakta, kanë rrënuar gjithçka. Tetë vjet, kjo kastë barbarësh ka gllabëruar gjithçka të brishtë kish ky vend si pronë publike. Këta barbarë sundojnë, përbuzin, vrasin, zaptojnë. Kanë sjellë plehra nga jashtë, kanë vjedhur zgjedhjet, kanë betonuar pushtetin, kanë shtuar terrorin, kanë shitur territorin, kanë shkatërruar tokën, pyjet, natyrën.
***
Prandaj ky pushtet duhet të bojkotohet. Situata nuk ngre më dialog, reforma, tolerancë dhe mirëkuptim. Opozita e ka marrë shtruar, të huajt moralizojnë dhe “marrin çadrat me vete në ditët me diell”. Të gjithë ne presim ndryshimin që nuk ka pse të vijë sa kohë që nuk bëjmë asgjë për ta pasur atë. Ne jemi dëshmitarë të heshtur, ndërkohë që bastardët i kemi si gjarpërinj nëpër këmbë. Kanë rrëmbyer një kazmë në duar për të shkatërruar çdo gjë. Çdo ditë heqin një gur dhe një kafkë nga themeli i mbetur i shtetit. Çdo seancë do të bëjnë një vjedhje të re. Çdo aksion do të shkaktojnë një fatkeqësi të pashembullt. Mbrapa shpinës së tyre do të ketë gjithmonë të pafajshëm të vrarë dhe jetimë të pashpresë. Në këtë neveri e batërdi, populli nuk ka pse të shpresojë në mbështetjen e të huajve, ndërsa këta, vazhdojnë e japin leksione demokracie në konferenca dhe bëjnë sehir se si çdo ditë e më shumë varfërohen shqiptarët, vriten shqiptarët, vidhen shqiptaret, poshtërohen: Për çfarë na duhen këto leksione, sa kohë shohim se si vritet e ardhmja e fëmijëve tanë?
Sot një grusht njerëzish të pështirë na qeverisin. Europa do të jetë e shëmtuar nëse rrugës drejt saj udhëhiqemi prej tyre. Në djall integrimi! Në djall rekomandimet! Askund nuk gjendet arsyeja se përse pushteti duhet të vazhdojë të jetë ende në duart e tyre: Është e qartë për të gjithë. Ky pushtet përdoret jo për të përmirësuar jetën tonë, por për ta rrënuar atë. Askund nuk gjendet arsyeja se përse këta barbarë vendosin ende për ne, për fatet tona, për buzëqeshjen e fëmijëve tanë. Askund nuk gjendet shpjegimi se përse duhet të jetë pikërisht në dorën e këtyre palaçove fati i pasurisë së shqiptarëve, ndërkohë që si pijavica, çdo ditë i thëthijnë palcën e mbetur këtij vendi të mjerë. Përse duhet të vendosin ata për zgjedhjet tona: për bukën që hamë, për bluzën që veshim, për të dashurën që njohim, për mbeturinat që hyjnë, për shkollën, për shëndetin dhe naftën. Ju kemi varur ujqërve mëlçitë në qafë. Po i lamë, shumë shpejt, do të na shqyejnë edhe zemrën.
Shqipëria në shitje!
DAUT GUMENI – Këto ditë që ziejnë nga tenderimet e pasurisë kombëtare, të nxjerrë në shitje nga pushteti sikur ta kishte mallin e babait, tregojnë se deri ku mund të shkojnë ethet për sundim absolut e deri ku mund ta katandisë skotën pushtetare makutëria e saj e pashuar për pasurim të pandalshëm me të gjitha mënyrat e mundshme, pa u penguar nga asnjë skrupull.
Vetë fakti që pazaret e këtij lloj pushteti me pasurinë kombëtare të shqiptarëve bëhen në fshehtësi të plotë nga sytë e publikut, dëshmon se çfarë e shtyn pushtetin aktual të verbohet aq keq sa të nxjerrë në shitje Shqipërinë (!) Duket sheshit që shtysa kryesore e këtij palo pushteti për të nxjerrë në shitje dhe vetë Shqipërinë, është ngutja për të gjetur para që të blejë sërish pushtetin e votave të vjedhura, që me atë pushtet të blerë me para të vjedhura, të vjedhë përsëri zgjedhjet e të qëndrojë përsëri në pushtet për të shtuar sa më shumë pasurinë vetjake të një klike kleptokrate dhe të garantojë kështu mundësinë e ëndërruar për ta përsëritur një cikël të tillë sa ta “thërrasë i Gjithëfuqishmi”…
Dhe këtë përfundim mund ta nxjerrë cilido qytetar i këtij vendi, po qe se u hedh një sy veprimeve të këtij pushteti të sëmurë. Kujt nuk i kujtohet se si na e paraqiti pushteti blerësin e ARMO-s? Na paskësh qenë një “firmë amerikane (më konkretisht një firmë nga Teksasi i manjatëve të naftës) me përvojë në fushën e hidrokarbureve dhe me zotimin për të investuar në teknologjitë më të reja të nxjerrjes dhe të përpunimit të arit të zi”…
Kështu tha pushteti kur nisi shfaqjen e tenderimit të ARMO-s, por shumë shpejt pas fitores së tenderit e morën vesh shqiptarët e ndërkombëtarët se firma “amerikane” paskësh qenë e një biznesmeni shqiptar aq shumë të namatisur e të laturisur nga vetë brigadieri i këtij pushteti demokratikas kur luante pjesën e opozitës. Kush nuk i kujton rrebet që lëshoheshin kundër “kontrabandistit më të madh të Ballkanit”, i cili tani fitoi tenderin e ARMO-s, duke na u paraqitur si një firmë e madhe nga Teksasi? Se këto lloj pushtetesh kanë fuqi edhe për ta kthyer “kontrabandistin më të madh të Ballkanit” në një biznesmen të suksesshëm nga Teksasi i Kolonjës sonë të bukur shqiptare…
Sido që në këtë Shqipërinë e mrekullive të pushtetit, edhe çudia më e madhe zgjat vetëm tri ditë, përsëri nuk besonte njeri se pushteti aktual do të arrinte deri aty sa të nxirrte Shqipërinë në shitje(!) Të gjithë e kanë parë me sytë e tyre se sa dorëlëshuar është ky lloj pushteti me shpenzimet elektorale e propagandistike, sikurse të gjithë i kanë parë me sytë e tyre ato mitingjet me kuadrate të punonjësve zyrtarë, që mbulohen me flamuj të mëdhenj blu, a thua se partia në pushtet është parti e ish-Ministrisë së Brendshme të diktaturës dhe po kremton festën e “policisë popullore”… Por askujt nuk i shkonte mendja se bujaria e këtij lloj pushteti për ta bërë buxhetin e shtetit parulla e banderola propagande, do ta zbrazte aq keq atë të shkretë buxhet publik sa dhe miu të thyejë kokën dhe pushteti të detyrohet të nxjerrë Shqipërinë tonë në shitje(!)
Dhe jo se ky lloj pushteti e ka ndonjë kufi në makutërinë e vet të pafre për pasurim vetjak me çdo kusht e me çdo mënyrë të mundshme, jo! Por se kjo e shkretë Shqipëri është e të gjithë shqiptarëve dhe nuk është pronë e pushtetarëve! Se pushtetet e sëmura mund të kuturisin t’u rrëmbejnë qytetarëve të tyre edhe pronën private, sikurse kanë vepruar pushtetarët tanë të tranzicionit me pronën e pronarëve të shpronësuar nga diktatura. Mund të kuturisin këto lloj pushtetesh të kalbura nga zullumet, edhe të vjedhin e të grabitin pjesë nga pasuria kombëtare e të gjithë shqiptarëve, por nuk beson dot njeri në këtë botë se kjo skotë pushtetarësh e përbërë nga komunistët më pa karakter të Partisë së Punës do të kuturiste një ditë deri aty sa të nxirrte në shitje mbarë Shqipërinë(!)
Se tenderi aq “transparent” që u zhvillua para pak ditësh për shitjen e “Albpetrol”-it, nuk është tender për shitjen e një ndërmarrjeje të thjeshtë për të gjetur ca para pushteti, që ka shpërdoruar aq keq buxhetin e shtetit për nevoja të pushtetit. Jo, zotërinj! Nxjerrja në shitje e “Albpetrol”-it, jo vetëm si ndërmarrje e nxjerrjes së naftës, por edhe si burime të naftës e të gazit të këtij vendi, është nxjerrje në shitje e Shqipërisë. Dhe për këtë krim nuk do të hynte në punë as referendumi popullor, se nuk pyetet populli kurrë nëse dëshiron të shesë Atdheun!
Cilido shqiptar nuk besoj se do të alarmohej kaq, po qe se pushteti i mbetur trokë për para, do të hapte tenderin për një koncesion mbi disa vendburime shqiptare të naftës apo të gazit, por gjithnjë një koncesion të përcaktuar mirë në interes të Shqipërisë e të shqiptarëve. Sepse kushtet e atij koncesioni do të mbanin gjithnjë parasysh si interesat e Shqipërisë e të shqiptarëve për pasurinë e tyre kombëtare, por edhe interesat e punëtorëve të atij sektori, edhe interesat e ruajtjes së një mjedisi të shëndoshë. Pa do të parashikoheshin me hollësi e me saktësi edhe investimet kapitale të fituesit të koncesionit, në mënyrë që pas mbarimit të afatit përkatës, ato investime teknologjike t’i mbeteshin shtetit shqiptar. Sikurse do të parashikoheshin dhe fitimet e duhura të shtetit shqiptar nga dhënia me koncesion e asaj pasurie kombëtare e do të parashikohej mënyra dhe sasia e taksimit të fituesit të koncesionit dhe pjesa e fitimit që i takon shtetit shqiptar, pa harruar dhe dyshemenë e pagave për punëtorët shqiptarë të atij koncesioni. E kështu me radhë…
Pa mëtuar t’u hyj në pjesë juristëve që merren me kontratat koncesionare, i rendita tërë këto hollësi vetëm për të më lejuar lexuesi të shtroj një pyetje themelore: Ku e morën të drejtën këta pushtetarë të nxjerrin në shitje pasurinë kombëtare të shqiptarëve sikur ta kishin pronë që ua ka lënë trashëgim babai? Sado të verbuar që janë për pushtet e për fitimet personale që u sjell pushteti i blerë me paratë e vjedhura nga shqiptarët e thjeshtë, kësaj skote pushtetarësh nuk ka asnjë ligj të këtij vendi që u jep të drejtë për të nxjerrë në shitje Shqipërinë! Nuk parashikohet në asnjë ligj të këtij vendi që pushtetarët të sillen si pronarë të pasurisë kombëtare e të vetë Shqipërisë. Edhe me mandat të vjedhur me anën e zgjedhjeve të dhunuara, ky lloj pushteti nuk është pronar i pronës publike të shqiptarëve dhe i Shqipërisë, por është bërë me zor vetëm administrator i asaj prone. Ky lloj pushteti i sëmurë rëndë nga ethet e qëndrimit të përjetshëm në karrige dhe nga fitimet që nxjerr duke abuzuar me atë karrige pushteti, nuk ka mandat popullor as për administrimin e pronës publike të shqiptarëve e jo më për të nxjerrë vendin në shitje!
Se t’i nxjerrësh në shitje pasuritë më të mëdha të nëntokës dhe veprat energjetike, do të thotë të nxjerrësh në shitje Shqipërinë. Se, menjëherë pas tenderit skandaloz të “Albpetrol”-it, ku shumat e paraqitura nga firmat pjesëmarrëse flasin qartë për një pazar të fshehur keq midis pushtetit dhe firmave që prodhojnë pajisje higjieno-sanitare apo që merren me transportin e kompjuterëve kinezë nga Azia në Amerikë, na u ngut pushteti aktual të nxjerrë në shitje jo pako gjë, por katër hidrocentralet më fitimprurëse të sistemit tonë energjetik. Dhe kjo në një kohë që ndërmarrjet e sistemit energjetik shqiptar po përpiqen të falimentojnë njëra-tjetrën nën vëzhgimin e këtij pushteti kleptokrat, që duket se mezi pret të falimentojnë ndërmarrjet shqiptare për t’i blerë pastaj pushtetarët me pesë kacidhe (!)
Atëherë çdo shqiptar ka të drejtën e robit e të Zotit të mendojë se këto marrëzi pas marrëzish që po dëshmon pushteti aktual i Tiranës me pasurinë kombëtare, mund të jenë përpjekjet e tij të dëshpëruara për të fshehur synimin e privatizimit të pasurive kombëtare nga pushtetarët tanë makutë. Por, si të gjithë krimet e kësaj bote, edhe vjedhja “ligjore” e pasurive kombëtare, duke privatizuar pasuritë e Shqipërisë me paratë e pista të nxjerra me thes nga abuzimet me pushtetin, nuk fshihen dot pas firmave që rrinë në hapësirën mes tre kontinenteve, por kanë rastisur pa adresa e pa siguri bankare…
Është thjesht një përpjekje e dështuar e këtij lloj pushteti për të fshehur minaren në thes. Vetëm se këtë herë, thesi është pasuria kombëtare e shqiptarëve dhe nuk beson njeri se do t’u ndritë kleptokratëve tanë të tranzicionit të gjatë. Ai thes është vetë Shqipëria e të gjithë shqiptarëve dhe nuk është trasta e pushtetarëve tanë dhjakonarë e kusarë të pafytyrë. Kjo është dhe arsyeja pse besoj që ai thes, që është Shqipëria jonë e bukur, do t’u lidhë një ditë grykën pushtetarëve tanë hajdutë e do t’i mbyllë brenda. Dhe ashtu të mbyllur në thesin me grykë të lidhur, besoj që do të kujtohen dhe pushtetarët e tranzicionit tonë për ato vargjet e pavdekshme të poetit vlonjat Ali Asllani: “Koha është e maskarenjve/ Po Atdheu është i shqiptarëve!”
Top Channel