Miratohet ndihma për familjen e Tahirajt

19/09/2012 17:35

Qeveria miratoi të mërkurën dhënien e një ndihme financiare familjes së kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, që u vra javën e kaluar.

Burime nga Këshilli i Ministriave bënë të ditur se qeveria i akordoi 5 milionë lekë familjes së policit të vrarë në krye të detyrës.

Të njëjtat burime shtojnë më tej se ndihma për familjen e kryekomisar Tahirajt do përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

Kryekomisar Adem Haxhi Tahiraj lindi më 1 shtator 1963 në fshatin ne Kërrnajë të Tropojës. Pas përfundimit të shkollës së lartë ai u inkuadrua në forcat e policisë.

Në karrieren e tij të gjatë ai pati disa funksione, mes të cilave më të lartën, atë të shefit të komisariatit të Shijakut. Në vitin 2008, Tahiraj mori një ndër gradat më të larta në Policinë e Shtetit, atë të kryekomisarit.

Para se të drejtonte komisariatin e Shijakut, ai ishte shef i njësië operative të forcave të posaçme në Drejtorinë e Krimit të Organizuar.

Në këtë Drejtori, kryekomisari kreu një sërë detyrash kundër krimit, derisa më 2 shtator të vitit 2011 u emërua në krye të uniformave blu të Shijakut.

Kryekomisar Adem Tahiraj ishte i martuar dhe me tre femijë dhe banonte në Tiranë. Në ceremoninë që u mbajt në nder të tij morën pjesë, kolegë, miq, politikanë dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme.

Top Channel