Një paciente me inicialet N.H. nga Drenasi është viktima e parë në Kosovë e virusit të Nilit Perëndimor. Viktima ishte shtruar në Klinikën Infektive në QKUK në Prishtinë.

Lajmin e jep agjencia ‘Kosovapress’, e cila citon drejtorin e Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik, Naser Ramadani.

“Në laboratorët e IKSHP-së, sot me datë 19 shtator 2012, është diktuar prania e antitrupave të klasit IGM kundër virusit të Nilit Perëndimor te pacientja N.H, e hospitalizuar në Klinikën Infektive në QKUK, e cila është transferuar prej Klinikës së Neurologjisë në gjendje të rëndë fizike, pa vetëdije, temperaturë dhe e intoksikuar. Janë bërë të gjitha përpjekjet për shpëtim, por fatkeqësisht pacientja ka përfunduar me vdekje”, ka thënë Ramadani.

Sipas Ramadanit, IKSHP-ja ka gjetur edhe dy raste me infeksione të virusit të Nilit Perëndimor të hospitalizuar në Klinikën Infektive, por në aspektin diagnostik nuk ka arritur te rezultati përfundimtar për arsye se mostrat nuk janë marrë në Klinikën Infektive.

“IKSHP-ja është në kontakt me Klinikën Infektive dhe është mobilizuar në tërë territorin e vendit dhe ka shtuar masat parandaluese dhe për momentin nuk ka raste tjera me këtë virus”, ka shtuar Ramadani.

Ethet e Nilit Perëndimor zhvillohen në 20 për qind të njerëzve të infektuar me VNP. Simptomat përfshijnë temperaturë, dhembje koke, lodhje, dhembje të trupit, të përziera, të vjella, herë pas herë skuqje të lëkurës dhe enjtje të gjëndrave limfatike.

Top Channel