Partia Demokratike e Kosovës është pro zgjerimit të koalicionit qeverisës, por jo për një koalicion nga i cili do të përjashtohej partneri aktual, Aleanca për Kosovën e Re.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha për ‘RTK’ se qeveria është solide dhe institucionet po kryejnë detyrimet e veta, por nënvizoi se zgjerimi i koalicionit është i mirëpritur.

Ai mohoi që në strukturat e PDK-së të jetë diskutuar mundësia e një koalicioni të ri me AAK-në, por pranoi se mundësia e zgjerimit të tij është përmendur.

“Në strukturat e PDK-së nuk është diskutuar asnjëherë për ndonjë koalicion të ri. Por është diskutuar edhe është shumë e qartë se ne e mirëpresim mbështetjen dhe marrjen e përgjegjësive nga subjektet tjera politike karshi proçesit nëpër të cilin po kalon vendi ynë”, tha Grabovci.

Ndërkohë, kryesia e AAK-së pritet të mblidhet të enjten, por sipas anëtares së saj, Donika Kadaj Bujupi, nuk do të ketë asnjë diskutim në këtë drejtim.

“Nesër AAK-ja do të mblidhet në një takim të rregullt, pasi fillojmë sesionin vjeshtor. Takim do të jetë rutinor dhe nuk do të ketë asgjë të re që do të diskutohet”, tha Bujupi për ‘RTK’.

Ajo përsëriti qëndrimin se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mund të hyjë në qeveri vetëm me kryetarin e saj Ramush Haradinaj si kryeministër.

Top Channel