Krerët e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës kanë paralajmëruar se do të protestojnë sërish ditën e enjte kundër proçesit të privatizimit të tre ndërmarrjeve të Kosovës.

Në një deklaratë për shtyp, kreu i këshillit organizativ të protestës, Alush Sejdiu ka deklaruar se tashmë sindikatat kanë mbledhur 60 mijë firma për të kundërshtuar privatizimin e PTK-së, KEK-ut dhe minierën e Trepçës.

“Tendenca e privatizimit të këtyre tre ndërmarrjeve të mbetura duhet të ndërpritet. Ne jemi të bindur se ky nuk është momenti i duhur për privatizim, pasi ky proçes do të rëndojë gjendjen tashmë të rënduar ekonomike të qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Sejdiu.

Javën e kaluar ishin punonjësit e ndërmarrjeve shtetërore të PTK-së dhe KEK-ut, që kërkuan nga deputetët që të ndalin proçesin e privatizimit.

Për më shumë se 30 minuta punonjësit e Postë-Telekomit dhe Korporatës Energjetike të Kosovës ndalën punën dhe protestuan.

Në bazë të pakos tenderuese të shpallur nga komisioni qeveritar për privatizim, të gjithë punëtorëve aktualë të PTK-së u garantohet vendi i punës për të paktën 3 vitet e ardhshme.

Por duket se punëtorët nuk janë të bindur, ndaj nënshkrimi i peticioneve kundër mënyrës së privatizimit të kompanive shtetërore ka vazhduar deri të hënën.

Top Channel